Pranga për korrupsion 7 personave, doganierë dhe agjentë doganorë
TIRANE- Skuadra e antikrimit ekonomik arrestoi dje 7 persona nga të cilët 3 doganierë, 2 agjentë doganorë dhe 2 zyrtarë të Drejtorisë rajonale të Transportit Rrugor Tiranë. Prangosja e tyre u krye në kuadër të një operacioni që u zhvillua dje në mesditë urdhëruar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Shtatë personat akuzohen për korrupsion pasiv. Policia e Shtetit doli në një konferencë për shtyp ku dha detaje në lidhje me këtë operacion dhe veprat penale për të cilët akuzohen 7 të arrestuarit.
Operacioni
Specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të operacionit “Porosia” kanë mundësuar arrestimin e Engjëll Dylgjeri, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor, pranë Degës Doganore Tiranë. Për këtë shtetas ishte dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë masa e sigurisë “Arrest në burg”. Po kështu në pranga është vënë edhe Xhevdet Mali, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor, pranë Degës Doganore Tiranë për të cilin ishte caktuar po ashtu si masë sigurimi “Arrest në burg”. Uniformat blu kanë arrestuar edhe dy punonjës të Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë; Ylli Sharri, 46 vjeç, me detyrë Komisionar pranë Lejeve të Drejtimit, me masë sigurimi të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë “Arrest në burg” dhe Olgert Isa, 27 vjeç, me detyrë Inxhinier pranues Dokumentesh me urdhër-ndalimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Po ashtu u ekzekutuan masat e sigurimit personal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me “Detyrim paraqitjeje”, për shtetasit: Frida Guxia, 56 vjeç, doganiere, pranë Degës Doganore Shkodër, Sofokli Qose, 42 vjeç, doganier pranë Degës Doganore Tiranë dhe Ilmi Krantia, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, doganier pranë Degës Doganore Tiranë.
Akuza
Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri–tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme, kanë bërë të mundur zhdoganimin dhe targimin e automjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm, me dokumentacion të falsifikuar, duke përfituar shumat e parave që variojnë nga 4 deri në 5 milionë lekë për një zhdoganim dhe targim automjeti. Në sajë të një hetimi intensiv, afro 1 – vjeçar, duke realizuar metodat speciale të hetimit, nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Task – Forcë, është bërë e mundur dokumentimi i plotë ligjor, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv, të personave të ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, dhe “Falsifikim dokumentesh”, parashikuar nga nenet 259, 248, 186/2, 164/b të Kodit Penal.
17 Prill 2009