Gjykimi në Hagë, Prishtina, e sigurt në fitore
Blerina Olldashi
Kosova dhe Serbia do të dorëzojnë sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dosjet me argumente për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Autoritetet kosovare kanë shprehur bindjen se shteti i ri do të dalë fitues në këtë përballje, e cila nuk pritet të sjellë ndryshime, përveç mundësive për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe njohjeve të mëtejshme. Vlerësim pozitiv nga Haga pret edhe opozita por duke kritikuar institucionet për jotransparencë gjatë përgatitjeve të bëra për këtë proces gjyqësor. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, bëri të ditur se Kosova ka argumente të mjaftueshme që të paraqitet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto argumente do të prezantohen nga përfaqësuesi i Kosovës, britaniku Majkëll Ud. “Mendoj se është një dokument i shkëlqyeshëm që sjell argumentet më të rëndësishme të mundshme për të gjitha zhvillimet tona. Institucionet e Kosovës kanë ofruar çdo ndihmë dhe natyrisht kemi bashkëpunuar edhe me z. Ud si udhëheqës. Kosova është e lirë, e pavarur dhe ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare”,- deklaroi Sejdiu. Edhe Serbia do të dorëzojë sot dosjen e saj, e cila përmban argumentet në lidhje me kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo dosje do të prezantohet nga një grup juristësh dhe sipas ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, dosja është e përbërë nga rreth 300 faqe, të cilat, të shoqëruara me dokumente të tjera, do të shkojnë në rreth 1000 faqe. Dokumentet që do të paraqiten do të prezantojnë fakte mbi statusin e Kosovës që nga koha e sundimit turk, deri në ditët e sotme. Jeremiç tha për mediat serbe se çështja në Gjykatën e Hagës ka vlerë të rëndësishme historike. “Është hera e parë në histori që Gjykata do të marrë në konsideratë këtë veprim të paligjshëm, i cili mund të jetë precedent për çdo rast tjetër”,- tha ministri serb. Pas dorëzimit të dosjeve vendet anëtare të OKB-së kanë të drejtë t’i deponojnë me shkrim qëndrimet e tyre lidhur me njohjen e Kosovës. Prishtina pret mbështetjen nga vendet që e kanë përkrahur pavarësinë e saj, kurse Beogradi nga vendet që e kanë kundërshtuar këtë pavarësi.
Sidoqoftë, Haga do të japë një mendim këshillëdhënës, i cili nuk besohet se do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës. Por efektet thuhet se mund të jenë politike, si në rast të mendimit pozitiv, ashtu edhe negativ dhe mund të ndikojnë në dinamikën e njohjes së Kosovës si shtet nga vendet e tjera.
17 Prill 2009