E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa Taçi, dekorohet me titullin “Qytetar Nderi i Ersekës”



Tiranë - Dje, në sallën e Bibliotekës të qytetit të Ersekës, në prani të qindra banorëve të këtij qyteti, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi i Ersekës”, akorduar nga Këshilli Bashkiak, zotit Mustafa Taçi, me motivacionin “Pasardhës i familjeve fisnike që kanë qeverisur Kolonjën e më gjerë. Mbartës i vlerave të shkëlqyera të familjes së tij dhe të krahinës së Kolonjës. Kontribut të shquar në pasurimin dhe përhapjen e këtyre vlerave në ditët e sotme, kontribut të pazëvendësueshëm në rritjen e cilësisë së jetës sportive në qytetin e Ersekës”. Mustafa Taçi, me profesion inxhinier, vjen nga një familje me tradita të shquara patriotike. Zoti Taçi përjetoi kalvarin e persekutimit politik prej 45 vjetësh, vetëm e vetëm sepse i ati i tij, Nevrus Taçi, shquhej për idetë e tij përparimtare dhe nacionaliste, për të cilat dhe u vra pabesisht mbas shpine. Me propozim të popullit të Kolonjës, Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekret nr. 8933, datë 21.07.1994, vlerësoi Nevrus Taçin me medaljen “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Sakrifikoi jetën e tij, në luftë të hapur kundër fashizmit dhe komunizmit, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike”. Sot, Mustafa Taçi, kontribuon jo vetëm si President i “Sport Klub Gramozit”, por edhe në realizimin e projekteve në ndihmë të rigjallërimit të vlerave dhe zhvillimit të qytetit të Ersekës.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›