Ivanov takohet në Kopenhagë me Papandreun për zgjidhjen e emrit
Problemi me emrin duhet sa më shpejt të tejkalohet. Kështu kanë rënë dakord në në Kopenhagë presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe kryeministri grek Jorgos Papandreu. Gjatë një takimi 15 minutësh i cili u zhvillua në kuadër të konferencës kushtuar ndryshimeve klimatike, Ivanov tha se problemin të cilin Greqia e ka me emrin është rezultat i paragjykimeve dhe kohërave të vjetra ndërsa shpreson që në frymën e unitetit evropian, të stabilitetit dhe
prosperitetit rajonal, Greqia do të tejkalojë pozicionin bllokues, i cili u dëshmua se nuk jep rezultat. Papandreu tha se çështja e emrit është anakronike dhe daton nga e kaluara, kështu që ai duhet të tejkalohet. Sipas një ankete të realizuar nga Qendra Nacionale për Integrime 37 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë shprehur pro ndryshimit të emrit, nëse ruhet identiteti dhe gjuha maqedonase. Në pyetjen A pajtoheni për ndryshimin e emrit kushtetues, me kushtin që të ruhet identiteti dhe gjuha maqedonase, 51 për qind e qytetarëve janë shprehur kundër, 37 për qind pro, ndërsa 12 për qind janë përgjigjur me nuk e di. Sipas anketës të realizuar me datë 12 dhe 13 dhjetor , në Maqedoni akoma mbizotëron një mbështetje për integrimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian. Sipas këtij hulumtimi partia kryesore në pushtet posedon 19 për qind të mbështetjes së qytetarëve, LSDM 13 për qind, BDI 7 për qind, PDSH 4 për qind, ndërsa 1,5 Të Bashkuarit për Maqedoninë.