KQZ e Kosovës kërkon sqarime shtesë nga Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa
KAP udhëzoi të shtunën KQZ të marrë vendim për rivotim në 3 komuna Me 7 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ti kërkojë Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa një interpretim, më preciz të vendimit të së shtunës nga ky institucion, përmes të cilit KQZ-ja udhëzohet të shpallë rivotim në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Këtë kërkesë, përfaqësues të KZAP-it e quajnë të paarsyeshme dhe thonë se s'mund të japin interpretime të mëtutjeshme rreth këtij vendimi.
Pas më shumë se gjysmë ore diskutimesh, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nuk arritën të bien në ujdi dhe të vendosin njëzëri për vendimin e 19 dhjetorit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes të cilit KQZ-së i udhëzohet të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit, të Gjilanit dhe të Lipjanit. Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa udhëzoi të shtunën KQZ-në që të marrë vendim për rivotim në 3 komunat ku, siç thuhet, janë evidentuar parregullsi të shumta gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 13 dhjetor. Ndërkaq, ditën e djeshme kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi i anëtarëve të këtij institucioni është marrë për shkak të paqartësive në lidhje me vendimin e KZAP-it. Vendimi që morri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jo që KZAP-i të ndryshojë këtë vendim-aspak, mirëpo vetëm të jap një sqarim përse në diapozitivin e vendimit të vet e ka përdorur terminin udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha Lushta. Ditën e djeshme, KQZ i ka kërkuar sqarime shtesë nga KZAP-i, rreth udhëzimit për përsëritje të votimit në tri komunat Prizren, Gjilan dhe Lipjan, ku niveli i ankesave për parregullsi ka qenë tejet i lartë. Shumica e anëtarëve të KQZ-së nuk janë pajtuar që të merret vendim në rekomandimin e KQZAP, por ka kërkuar që të sqarohet nëse është urdhëresë e prerë, apo është vetëm një udhëzim. Vetë kryetarja e KQZ-së, e cila ka abstenuar në votimin për ose kundër kërkesës për sqarime shtesë nga KZAP, tha se kësaj radhe është kërkuar një sqarim prej organit të ankesave pasi vendimi nuk ka ardhur në formë urdhërese. Këmbëngulës për të kërkuar sqarime kanë qenë anëtarët e PDK-së në KQZ. Xhelil Pajaziti tha se udhëzimi i KZAP nuk është i qartë dhe si i tillë lë shumë hapësirë për interpretime nëse është, ose jo obligativ. Por këtë e ka kundërshtuar Florian Dushi, anëtar i LDK-së në KQZ, që sipas tij e gjithë situata është e qartë. Mirëpo, vendimi ka qenë i paqartë për anëtarët e shumicës së subjekteve politike në KQZ, pasi që në brendësi të tij, pika 2 thuhet se: Udhëzohet Komisioni Qendror Zgjedhor të urdhërojë përsëritjen e votimit në këto tri komuna. Ndërsa sipas nenit 118 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës paragrafi 5 thotë se, 118.5 Vendimi i KZAP-it është i detyrueshëm për tu zbatuar nga KQZ-ja, përveç në rast se apeli i lejuar sipas këtij ligji ose Kushtetutës parashtrohet brenda kohës së paraparë dhe gjykata më e lartë përcakton ndryshe. Për të thelluar edhe më shumë paqartësinë e këtij vendimi Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në letrën e dërguar KQZ-së, thotë se KZAP-i i rekomandon fuqishëm KQZ-së për qëllim të mbarëvajtjes së procesit të votimit, që gjatë ditës së zgjedhjeve të ndërmarrë masa më të mëdha për parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme duke marrë këto masa: të bëhet ndërrimi i komisionerëve të Qendrave të Votimit, të shtohet prezenca e Policisë së Kosovës në të gjitha qendrat e votimit si dhe KQZ të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit. Në raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve në Prizren, Gjilan e Lipjan rezultatet preliminare nxorën fitues Partinë Demokratike të Kosovës. Por procesi ishte shoqëruar me ankesa të shumta për parregullsi duke e shtyrë KZAP-in që në këto tri komuna qytetarët të thirren, për të tretën herë më radhë, për të votuar. Në prononcimet e mëhershme të dyja partitë deklaruan se kanë vendosur ta njohin vendimin e KZAP-it për rivotim.
Last Updated on E Marte, 22 Dhjetor 2009 11:23