Ivanovi: EULEX të ndërhyjë për targat serbe
Prishtinë - Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar të shtunën se pret nga EULEX-i që ta anulojë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për konfiskimin e targave të reja të Serbisë, të lëshuara për komunat e Kosovës. Mirëpo, sipas gazetës “Koha Ditore”, MPB-ja është këmbëngulëse që ky vendim të vazhdojë të zbatohet, edhe pse dy ditë më parë EULEX-i u kishte kërkuar që së paku të pezullohet vendimi për dy ditë. Ivanoviq e ka quajtur ilegal vendimin e Prishtinës dhe ka deklaruar se kjo mund të ndikojë negativisht edhe në bisedimet që pritet të nisin mes Prishtinës dhe Beogradit. “Vendimi për të ndaluar targat është ilegal dhe nuk mund të implementohet pa dëshirën që të shkaktohen incidente në veriun e Kosovës, të dominuar nga serbët”, ka deklaruar Ivanoviq, duke shtuar se kjo mund të prishë fillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai ka deklaruar se shqiptarët e Kosovës me veprime të njëanshme janë duke e vështirësuar situatën dhe duke i rritur presionet politike. Ivanoviq më tutje ka deklaruar se pret që shefi i EULEX-it javën e ardhshme të flasë me autoritetet shqiptare të Kosovës për ta hequr këtë ndalesë. Mirëpo, një gjë e tillë, sipas ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, nuk do të ndodhë.