E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nuk ndryshon axhendën, demonstratë e madhe më 21 janar

SHKRUAN: Fejzi Braushi 15-01-2011 10:39

Dorëheqja e Ilir Metës nga dy postet e larta që mbante në kabinetin qeveritar nuk ka ndryshuar aspak axhendën e opozitës për të ngritur popullin në tubime dhe për të kërkuar largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar me shumicë votash rezolutën prej katër pikash, ku ndërmjet të tjerave sanksionohet edhe angazhimi për të zhvilluar në datën 21 janar në Tiranë një demonstratë të madhe, si dhe thellimi i marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin. Ndërkohë që në këtë mbledhje kanë marrë pjesë dhe anëtarët e rinj të kooptuar nga Rama, si ish-deputetët Ndriçim Hysa, Besnik Dervishi, Ndre Legisi, ish-ministri Agron Duka, deputeti Paulin Sterkaj apo edhe ish-kreu i G99 Erion Veliaj, kryredaktori i “ZP”, Aldrin Dalipi etj. Kanë munguar një sërë figurash të rëndësishme të PS-së, të njohur si kundërshtarë të kryetarit Rama, si Ben Blushi, Kastriot Islami apo edhe Andis Harasani.

Mbledhja

Asamblenë Kombëtare e ka hapur dje si gjithmonë kreu i saj Gramoz Ruçi, i cili teksa ka evidentuar momentin e vështirë në të cilin mblidhet kësaj here ky forum, ia ka kaluar fjalën kryetarit të Partisë, Edi Rama, i cili në më shumë se 30 minuta ka parashtruar nevojën për të patur një reagim të radikalizuar nga ana e opozitës, si e vetmja mundësi për të larguar këtë lloj qeverisje. Më pas mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe deputetë dhe figura të njohura të socialistëve kanë zhvilluar temën e diskutimeve rreth nevojës për të rritur forcën reaguese të opozitës, nëpërmjet veprimeve që përjashtojnë çdo lloj marrëdhënie me shumicën qeverisëse. Por një zhvillim i papritur për socialistët ka ndryshuar rrjedhën e kësaj mbledhjeje. Kur kishin folur vetëm pesë persona, Ruçi është detyruar të ndërpresë mbledhjen në mënyrë që e gjithë Asambleja të njihej me aktin e dorëheqjes së Ilir Metës nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ai i ministrit të Ekonomisë. Mbledhja ka rinisur, por kësaj here me një debat të ri, nëse duhej zhvilluar më tej aksioni opozitar ashtu siç edhe ishte programuar në fillim të kësaj mbledhjeje, apo duhet të hartohej një strategji e re pas dorëheqjes së Metës, meqenëse ky i fundit ishte dhe objekti kryesor mbi të cilin PS kishte programuar veprimin e vet. Kjo ka bërë që në mbledhje të rrihen mendime të ndryshme dhe në fund të mbështetet qëndrimi për të mos ndryshuar asgjë në qëndrimin e programuar më parë, veçse tashmë kërkesat nuk do jenë më për largimin e Metës, por të gjithë qeverisë.

Rezoluta

Asambleja Kombëtare ka diskutuar dhe ka miratuar gjithashtu dhe një rezolutë ku konkretizoheshin veprimet e saj politike për periudhën në vijim. Rezoluta, e cila në fund të mbledhjes u bë e ditur nga sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, përmban 4 pika, ndërmjet të cilave thirrja për të marrë pjesë në demonstratën (sipas socialistëve ky lloj reagimi nuk përjashton dhe përdorimin e dhunës nga qytetarët) e 21 janarit. Pika e dytë e rezolutës ka të bëjë pikërisht me kërkesën që Asambleja i bën grupit parlamentar “të thellojë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin deri në zbardhjen e skemës korruptive për grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit”. Kjo mësohet se ka qenë një nga pikat më shumë të debatuara në sallë, pasi nuk kanë qenë të paktë zërat që kanë kundërshtuar thellim e mëtejshëm të marrëdhënies së kushtëzuar me institucionin e Kuvendit. Njëri prej tyre ka qenë dhe Servet Pellumbi, i cili ka kërkuar një luftë opozitare si brenda dhe jashtë Parlamentit. Megjithatë kanë qenë të paktë deputetët socialistë të cilët kanë ditur të shpjegojnë se çdo të thotë thellim i marrëdhënies së kushtëzuar, me përjashtim të ndonjë elementi të veçantë i cili ka saktësuar se bëhet fjalë dhe për kushtëzim të veprimtarisë parlamentare në komisione. Pjesë e rezolutës është dhe një thirrje për organet e drejtësisë që të hetojnë çdo aferë korruptive si dhe një kërkesë për deputetët socialistë pjesëtarë të delegacionit të KiE-së që të dënojnë përmbajtjen e raportit të Dick Marty-t.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›