Ivanoviç: Kosova të heq dorë nga privatizimi i “Trepçës”
Anëtari i qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç ka apeluar te përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të heqin dorë nga privatizimi i paralajmëruar i “Trepçës”.
Ivanoviç, duke u deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se vërehet që institucionet kosovare kohët e fundit po nxitohen me lëvizje që, sipas natyrës së tyre do të jenë objekt i bisedimeve në Bruksel, në mënyrë që të krijojnë pozitë më të volitshme negociatore.
Sipas tij, në këtë dritë duhet shikuar edhe privatizimin e paralajmëruar të “Trepçës”.
“Kjo paraqet krijim të pozitës më të mirë negociuese, por mund të ketë pasoja të dëmshme, pasi çdo lëvizjeje të tillë pala serbe do t`i kundërvihet. Në atmosferën e konfrontimit nuk mund të gjenden zgjidhje të mira”, ka thënë Ivanoviç.