Maqedoni, shpërndahet të enjten Parlamenti

Parlamenti i Maqedonisë pritet të shpërndahet të enjten, paralajmëroi kryeparlamentari Trajko Veljanovski, duke mos përjashtuar që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor.
Veljanovski bëri të ditur se seanca për shpërndarjen e Parlamentit është caktuar për ditën e enjte më 14 prill, ndërsa sipas tij,vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të firmohet më 15 prill.
Këto vendime u dhanë pas një takimi të shefave të grupeve parlamentare, por pa pjesëmarrjen e opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM, ku u vendos për shpërndarjen e Parlamentit.
“Nga ana ime është dorëzuar vendimi për shpërndarjen e Parlamentit dhe kjo i është dorëzuar të gjitha shefave të grupeve parlamentare dhe nënkryetarëve të legjislativit. Sot dhe nesër do të grumbullohen nënshkrimet nga të gjithë deputetët për shpërndarjen e Parlamentit. Nesër duhet të dorëzohen ato dhe më pas unë të caktojë seancën për shpërbërje, e cila pritet të jetë e caktuar për ditën e enjte, ndërsa të premten do të firmohet shpallja e zgjedhjeve, që do të mbahen në përputhje me datën e marrur vesh nga liderët e partive”, theksoi kryeparlamentari Veljanovski.
Parlamenti pritet që sot të miratojnë ndryshimet e Kodit zgjedhor, dhe plotësimin e Ligjit për deputetët, ndërsa nesër të votohet për ligje që nevojitet shumicë absolute, siç është edhe zgjedhja e kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatit të LSDM-së, Boris Kondarko.
Kryetari i Parlamentit apeloi që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votimin e kreut të KSHZ-së dhe ndryshimeve të propozuara, dhe të debatojnë për arsyet e shpërndarjes së Parlamentit, me qëllim që qytetarët të njihen me opsionet e ofruara politike. Por, deri tani partitë maqedonase të kryesuara nga LSDM kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancat parlamentare të kësaj përbërje parlamentare.