Ivanoviç: Prishtina qendër e krimit të organizuar

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar sot për mediat serbe se Prishtina është qendër e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se vëmendja e EULEX-it duhet të përqendrohet në këtë qytet.
Ivanoviç në një deklaratë për agjencinë serbe Tanjug ka theksuar se formimi i njësisë speciale të EULEX-it për luftën kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës mund të jetë çështje taktike, mirëpo çdo potencim i veriut të Kosovës si problem në esencë i mbulon problemet dhe situatën e vërtetë.
Ivanoviç nuk e konteston ekzistencën e kriminelëve në veri të Kosovës, por sipas tij, atje është shumë më i vogël problemi sesa në Prishtinë.
“Receta për sukses të gjitha policive në botë, pra edhe të EULEX-it, qëndron në faktin që të ketë bashkëpunim të mirë me banorët lokalë. Frikësohem se pikërisht theksimi i veriut si një nga problemet nuk do të përmirësojë rolin e pozicionit të EULEX-it te banorët serbë”, ka thënë Ivanoviç.
Ai ka theksuar se është me rëndësi të madhe që banorët lokalë të ndërmarrin iniciativa dhe çdo inisiativë nga anash mund të nxisë vetëm kundërefekte te serbët, të cilët hapat e tillë mund t`i vlerësojnë si aksione të drejtuara kundër tyre.
Ivanoviç ka thënë se EULEX-i mund ta ketë bashkëpunimin e autoriteteve serbe, për shkak se është nënshkruar protokolli ndërmjet policisë serbe dhe EULEX-it, dhe ka theksuar se ky bashkëpunim duhet të thellohet.