Ivanoviç:Pala serbe e gatshme për fillimin e dialogut

Sekretari shtetëror i të ashtuquajturës Ministrisë për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të nisë me çështje serioze, për të cilat palët kanë kundërshtime të forta, siç është çështja e statusit të Kosovës.
Në një intervistë për BBC-në Ivanoviç sugjeron që dialogu të hapet me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë pasi sipas tij zbardhja e fatit të të cilëve është në interes si të Prishtinës, ashtu edhe të Beogradit.
“Është mirë që të fillohet me atë që po e sugjerojnë të dyja palët, çështjen e të zhdukurve dhe të rrëmbyerve sepse kjo është një temë thellësisht humanitare, ndërsa pastaj do të mund të prekim tema më serioze për të cilat paraprakisht e dimë se nuk bihem dakort”, ka thënë Ivanoviç.
Sipas tij, pala serbe është e gatshme për fillimin e menjëhershëm të dialogut, por po pritet formimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet në Kosovë dhe emërimi i ekipit negociator të Prishtinës. Ai parashikon që bisedimet e para pas pavarësisë së Kosovës, do të jenë të vështira, por beson se suksesi i tyre është i mundur nëse palët angazhohen që në fillim të procesit të shmangin përplasjet mes tyre.
Ndërkaq, zyrtarët në Prishtinë thonë se bisedimet me Serbinë, të cilat do të lehtësohen nga Bashkimi Evropian, mund të fillojnë vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe konstituimit të institucioneve të reja, ndërsa përjashtojnë mundësinë e diskutimit të çështjeve që prekin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës.