Iweala: Qeveria të përdorë politika të kujdesshme fiskale
Drejtoresha e lartë e Bankës Botërore Okonjo Iweala e këshilloi qeverinë shqiptarë të përdorë politika të kujdesshme fiskale për të garantuar qëndrueshmëri të ekonomisë në vend.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha drejtoresha e lartë e BB-së theksoi se Shqipëria duhet t`i përmbahet kuadrit të borxhit publik dhe të mundohet ta ulë atë borxh ose ta ruajë atë në nivelin 60 përqind.
“Shqipëria duke qënë një vend me të ardhura të mesme, qeveria shqiptare duhet të ketë kujdes nga vendet që kanë fuqi blerëse, si ato vende të cilat prodhojnë të njëjta produkte por me një çmim më të ultët dhe ato që prodhojnë produkte më komplekse por me një teknologji më moderne theksoi Iweala.
Gjithashtu Iwela ka përgëzuar Shqipërinë për përballjen me sukses ndaj krizës ekonomike globale duke theksuar se BB-ja do të vijojë bashkëpunimin ne qeverinë shqiptare në të gjitha fushat.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se i ka shprehur përfaqësueses së BB-së mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm për 20 vite me këtë institucion dhe për projektet që arrijnë shifrën 1.5 miliardë dollarë.
“Ne diskutuam gjerësisht mbi përparësitë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen dhe kam kënaqësinë dhe ta falenderoj drejtoreshën e lartë për mirëkuptimin e saj dhe të BB-së për këto përparësi të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ne ramë dakort të bashkëpunojmë ngushtë me BB-në për përmbytjet” theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se së bashku me drejtoreshën e lartë të BB-së ka trajtuar edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat, si në ndërtimin e infrastrukturës dhe në bujqësi duke theksuar se e ka njohur përfaqësuesen e BB-së edhe me vizionin e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori si një kusht për ta kthyer Shqipërinë në një vend të zhvilluar.
“Kishim diskutime edhe me situatën makro-ekonomike, garantova drejtoreshën që për qeverinë rëndësi e madhe ka pasur ruajtja e stabilitetit makro- ekonomik, dhe deficiti buxhetor të jetë 3.5 përqind për vitin e ardhshëm” theksoi Berisha.