Izetbegoviç: Hap i rëndësishëm për të ardhmen e rajonit
Arrestimi i Ratko Mlladiçit është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Bosnjës, Serbisë dhe gjithë rajonit.Kështu ka deklaruar anëtari i presidencës tripalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç.
“Jam shumë i lumtur me vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të Gjykatës së Hagës, e cila nuk ka hequr dorë për 15 vjet dhe ka qenë e gatshme të nxisë autoritetet e Serbisë për të bërë atë që bënë”, ka thënë Izetbegoviç.
“Disa e konsiderojnë Mlladiçin si hero apo si hero kombëtar. Ai njeri ka qenë i gatshëm të urdhërojë vrasjen e mijëra burrave dhe djemve të pafajshëm, dhe pas asaj nuk ka qenë i gatshëm të përballet me drejtësinë. Ai është fshehur dhe ka lejuar të arrestohet në këtë mënyrë. Kjo është e rëndësishme për ata që e konsiderojnë hero, për të kuptuar se çfarë njeriu ishte gjenerali Mlladiç”, ka thënë Izetbegoviç.