Maqedonia do të korrë përfitimet e bashkimit me Rrjedhën e Jugut
Çmime më të ulëta të gazit e një furnizim më i besueshëm po priten të përkthehen në një Maqedoni ekonomikisht më të begatë, që do të jetë në gjendje më lehtësisht të merret me integrimin euro-atlantik
Mundësia e përdorimit të gazit natyror me cilësi të lartë do të sigurojë kosto më të ulëta e do të rrisë konkurrencën e industrisë dhe ekonomisë maqedonase, thanë ekspertët, pas nënshkrimit të një marrëveshje muajin e kaluar për Maqedoninë që të bashkohet me projektin e tubacionit Rrjedha e Jugut. "Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Me Rrjedhën e Jugut është praktikisht e garantuar stabiliteti afat-gjatë i energjisë i Republikës së Maqedonisë e janë siguruar sasi të reja gazi," tha Kryeministri Nikola Gruevski. Maqedonia do të lidhet me Rrjedhën e Jugut me një degë të posaçme nga rrjeti i Rrjedhës së Jugut të Serbisë apo Bullgarisë. Mundësia e përdorimit të besueshëm të gazit të lirë e me cilësi të lartë do të përkthehet në një Maqedoni ekonomikisht më të begatë, që do të jetë në gjendje më lehtësisht të merret me integrimin euro-atlantik. Rrjeti ekzistues i gazit është pak i përdorshëm sepse shpërndan gaz të kushtueshëm, sipas Branko Azeskit, president i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë e kështu Rrjedha e Jugut sjell një shtysë të re, pozitive për ekonominë maqedonase. "Me [Rrjedhën e Jugut], do të kemi një çmim të ulët gazi, të rënë dakort midis të gjithë vendeve që do të përdorin gazin e Rrjedhës së Jugut, që do të jetë i përballueshëm. Kjo do të rrisë konkurrencën e ekonomisë maqedonase sepse kompanitë do të përshtaten të përdorin gaz në vend të karburanteve të tjera," tha Azeski. Përdorimi i gazit natyror me cilësi të lartë do të lejojë konkurrencë më të madhe të produkteve maqedonase në tregjet e huaja, sipas Konstandin Dimitrov, president i Qendrës Maqedonase për Efektshmërinë e Energjisë. "Kjo do të jetë shumë pozitive për ekonominë maqedonase sepse gazi natyror, krahasuar me qymyrin e karburantet e lëngëta, ofron efektshmëri më të madhe," tha Dimitrov. Maqedonia ka një tubacion të vetëm gazi të sajën që mund të përmbushë nevojat e vendit për pesë vjet, por është përdorur nga pak. "Megjithëse gazifikimi në Maqedoni nisi kohë më parë, në realitet, përfitimet e përdorimit të gazit natyror, që është konsideruar më i lirë se karburantet e tjerë, nuk janë ndjerë ende. Një nga arsyet është se kishim pak konsumatorë e gaz shumë të shtrenjtë," tha Nikolajço Nikolaev, zëvendës/drejtor i përgjithshëm i minierës Buçim. Zyrtarët thanë se tubacioni do të përfundojë deri më 2018 kur sasitë e para të gazit priten të rrjedhin në Evropën qendrore e jugore. Ndërtimi i Rrjedhës së Jugut nisi në dhjetor të 2012-tës e përfshin një tubacion 3,600 kilometra nën Detin e Zi.