Izrael, një ministër kërkon asgjesimin e Hamasit
Ministri izraelit i Financave, Juvan Steinic, kërkoi sot "asgjësimin" e regjimit të lëvizjes islamike Hamas që kontrollon Rripin e Gazës për t'iu dhënë fund goditjeve me raketa në drejtim të territorit të shtetit hebre.
"Herët apo vonë, duhet të asgjësojmë regjimin ushtarak proiranian të Hamasit që kontrollon Rripin e Gazës", deklaroi në radion publike Steinic, një bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Benjamin Netanjahu.
"Nuk po përcaktoj datë, por nuk mund të tolerojmë që ky regjim të vazhdojë të forcohet ushtarakisht dhe të pajiset me një arsenal raketash që kërcënojnë territorin tonë", shtoi ai.
"Nuk mund të pranojmë që raketa me rreze të gjatë veprimi që synojnë shkretëtirën Negev të grumbullohen në Rripin e Gazës", shtoi ai.
"Nuk kemi zgjedhje tjetër", iu përgjigj ai gazetarit i cili e pyeti lidhur me mundësinë e një pushtimi të ri të Rripit të Gazës nga ushtria izraelite.
Zëdhënësi i Hamasit, Faëzi Barhum, u shpreh se deklaratat e Steinicit pasqyrojnë qëllimet kriminale të qeverisë pushtuese izraelite dhe konfirmojnë faktin që terrorizmi i saj shtetëror vazhdon.Ai bëri thirrje gjithashtu për "izolim rajonal dhe ndërkombëtar të Izraelit dhe për fillimin e menjëhershëm të ndjekjeve penale për krime lufte kundër drejtuesve të tij.Disa grupe të armatosura palestineze në Gaza i kanë shtuar sulmet me raketa ditët e fundit, njëra prej të cilave ka goditur një punëtor tajlandez të bujqësisë në jug të Izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, rreth 35 raketa dhe predha moratjash janë hedhur që nga Gaza kundër Izraelit që prej fillimit të vitit.