Kinë, bllokohen 123 minatorë në nëntokë
Të paktën 123 minatorë janë bllokuar ditën e dielë pas përmbytjes që ndodhi në një miniere të madhe qymyri në veri të Kinës.
Lajmi u njoftua ditën e dielë nga agjencia kineze e lajmeve "Hsinhua".
Rreth 261 minatorë po punonin në minierën Uangjialing në çastet ku ndodhi aksidenti, të dielën pasdite në provincën Shanxi dhe 138 kanë arritur të dalin në sipërfaqe, shtoi agjencia zyrtare. Ndërsa pjesa tjetër nuk arriti që të dilte në sipërfaqe të tokës.
Një zyrtar i administratës për sigurinë në miniera në qytetin Linfen, ku ndodhet miniera, konfirmoi aksidentin duke mos dhënë hollësi të tjera. Sipas të gjitha gjasave janë të pakta mundësitë që 123 minatorët e bllokuar të arrijnë të mbijetojnë, pasi minatorëve përveç se do t'u duhet që të përballen me përmbytjet, një problem tjetër janë muret e brishta të galerive të minierës së qymyrgurit.
Kina është shteti i cili mban rekordin për aksidentet që ndodhin në minierat, gjithashtu shteti aziatik mban rekord edhe për numrin e minatorëve të vdekur nga këto aksidente të shpeshta.