E Diel, 1 Nëntor 2026

Izrael,hapet sesioni i parlamentit të ri, betohen deputetët

Presidenti izraelit Shimon Peres ka hapur zyrtarisht sesionin e 18-të të "Knesset-it", ose thënë ndryshe parlamentit të vendit. Në një ceremoni festive, 120 anëtarët e parlamentit të Izraelit kanë bërë betimin. Presidenti Peres, i shoqëruar nga kryeparlamentarja Dalia Itzik, parakaloi në një tapet të kuq, që të conte në ndërtesën e parlamentit, në Jeruzalem. Në fjalën hapëse, Peres e vuri theksin në konfliktin e fundit me palestinezët dhe përsëriti nevojën për bisedime paqësore. "Ndër pesë konfliktet me të cilët ne jemi përballur, dy kanë përfunduar me marrëveshje paqeje: me Egjiptin dhe Jordaninë. Njëri, ai me Libanin, u zgjidh territorialisht. Përsa i përket konflikteve të ndërlikuara me palestinezët, qeveria ka filluar negociatat. Liderë të shquar arabë më kanë treguar se një marrëveshje paqeje me Palestinën do të njihej gjerësisht si një paqe rajonale", tha Peres përpara deputetëve, të rinj e të vjetër. "Ne iu përgjigjëm zjarrit me zjarr. Armëpushimi i vendosur duhet përfunduar me negociata. Negociatat me palestinezët duhet të vazhdojnë deri në arritjen e një marrëveshjeje. Ne nuk duam të qeverisim popujt e tjerë dhe nuk pranojmë që të tjerët të na kontrollojnë neve", shtoi Peres. Ceremonia u mbajt, pasi kryeministri i caktuar Benjamin Netanjahu zhvilloi bisedime me liderët e partive politike në vend, në përpjekje për krijimin e një koalicioni sa më të gjerë. Presidenti Peres emëroi Netanjahun të formojë qeverinë e re, pas zgjedhjeve jo vendimtare të 10 shkurtit. Partia "Kadima" e Tzipi Livnit fitoi 28 vende të parlamentit në zgjedhje, kundrejt 27 të "Likud-it", të Netanjahut. Pavarësisht kësaj, nëpërmjet koalicioneve, Netanjahu arriti të krijojë kuorumin e nevojshëm, madje me katër deputetë më shumë, duke arritur kështu të jetë në gjendje për krijimin e qeverisë së re.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›