Kosovë,Krasniqi:Në veri nuk zbatohet Kushtetuta

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës pranojnë se në veri të vendit nuk zbatohet Kushtetuta. Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, pohon se ekzistenca e strukturave paralele në atë pjesë bën që ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës të mos zbatohen. "Përsa i përket zbatimit të ligjeve, por edhe të Kushtetutës në pjesën veriore të Kosovës, mund të themi se nuk janë duke u zbatuar as njëra, as tjetra, për faktin se atje sundon krimi, kontrabanda dhe institucionet paralele, që kanë ngritur ish-strukturat policore dhe paramilitare serbe", ka deklaruar Krasniqi. Nga ana tjetër, edhe anëtarë të partive opozitare thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet në veri të vendit, pasi sipas tyre, institucionet nuk po bëjnë sa duhet në atë drejtim. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi shprehet se fajtor kryesor për moszbatimin e Kushtetutës në atë pjesë të vendit, është qeveria kosovare. "Edhe në aspektin formal - juridik, edhe në aspektin praktik, subjekti i parë që duhet ta ketë përgjegjësinë, është qeveria e Kosovës. Fundja, ai territor është i yni, i Kosovës, dhe qeveria ka mandatin që të qeverisë në Kosovë. Aty ka një pjesë të kompetencave dhe prania ndërkombëtare, EULEX-i dhe KFOR-i, por ata janë në rolin e ndihmësit, për të ndihmuar përshpejtimin e integrimit të asaj pjese të Kosovës. Qeveria duhet të marrë një nismë në këtë drejtim dhe projekte konkrete", thekson Kosumi. Misioni EULEX, si mision teknik, ka për detyrë të mbikëqyrë, ndihmojë dhe këshillojë institucionet e qeverisë së Kosovës në polici, dogana dhe drejtësi, dhe jo të mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës. Por, përfaqësuesit e institucioneve, në këtë rast edhe kryeparlamentari Krasniqi, shpresojnë se shtrirja e EULEX-it në veri mund të sjellë ndryshime pozitive në zbatimin e ligjeve kosovare atje. Ndërkohë, ajo për të cilën pozita dhe opozita pajtohen, është se shtrirja e autoritetit në veri mbetet një nga sfidat më të mëdha për vendin.