Slloveni-Kroaci,ende pa zgjidhje çështja e kufirit
Kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë nuk kanë bërë asnjë përparim në takimin e tyre të parë të martën mbi mosmarrëveshjen për kufirin, që ka bllokuar rrugën e Kroacisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kryeministri slloven, Borut Pahor dhe homologu i tij kroat, Ivo Sanader kanë shfaqur një mirësjellje të ftohtë dhe buzëqeshje të sforcuara, ndërkohë që kanë dhënë vetëm deklarata të shkurtra pas takimit njëorësh mes tyre në një pikë turistike sllovene golfi. Dy palët janë shumë larg njëra-tjetrës lidhur me çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve edhe pse Sllovenia ka shfrytëzuar edhe ofertën e Bashkimit Europian për ndërmjetësim. Sanader ka përshëndetur me kujdes ofertën, por ka shtuar se parapëlqente që çështjen ta merrte për shqyrtim Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. "Sllovenia nuk do të heqë veton e saj për bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë derisa të mos arrihet përparim në zgjidhjen e çështjes së kufirit. Ky ishte vetëm takimi i parë dhe në vetvete ai ishte një hap përpara", deklaroi kryeministri slloven Pahor duke theksuar se takime të nivelit të lartë do të zhvilloheshin edhe në të ardhmen.