E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli, Irani dhe beteja për bombën

Izraeli ka bërë çmos për të ndalur programin bërthamor të Iranit, duke filluar nga vrasjet e shënjestruara, e deri te viruset kompjuterik. Tani, sulmet ajrore kundër objekteve bërthamore të Iranit duken vetëm disa muaj larg. Por sulmi izraelit do të mund të forconte regjimin në Teheran dhe ta bëjë atë edhe më të vendosur se asnjëherë më parë për të prodhuar bombën.

Periudha prej 12 orë është një kohë mjaft e gjatë për atletët, të cilët mundojnë trupat e tyre deri në kufijtë e durimit. 12 orë janë kohë e gjatë edhe për politikanët, të cilët përballen me trysninë e ndonjë ultimatumi, për të parandaluar një luftë, e cila do të nënkuptonte në mënyrë të pashmangshme vdekjen e një numri të madh të njerëzve.

Në vitin 1914, Rajhu gjerman i dha 12 orë kohë rusëve, që t’i japin fund mobilizimit të forcave të tyre. Në vitin 1956, britanikët dhe francezët i dhanë po aq kohë presidentit të atëhershëm të Egjiptit, Gamal Abdel Nasser, që të tërheq forcat e veta nga Kanali i Suezit. Në të dy rastet shpërthyen luftëra.

Sulmit potencial i Izraelit kundër objekteve bërthamore të Iranit me gjasë gjithashtu do t’i paraprinte një periudhë përgatitore, e cila do të zgjatë 12 orë. Sipas burimeve të inteligjencës në Tel Aviv, politikanët izraelitë i kanë thënë shefit të shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë amerikane, Martin Dempseyt, se Shtëpia e Bardhë do të njoftohet 12 orë pas marrjes së vendimit nga ana e Izraelit për të sulmuar.

Me fjalë tjera, Izraeli dëshiron të jetë i sigurt për dy gjëra: në njërën anë, që presidenti Barack Obama të mos kapet tërësisht në befasi dhe në anën tjetër, që të mos jetë në gjendje që të vendos seriozisht në pikëpyetje vendimin e Izraelit.

A është kjo mënyra se si një vend duhet të trajtojë aleatin e vet më të rëndësishëm? A është kjo mënyra se si duhet të ushtrojë trysni ndaj superfuqisë, nga vullneti i mirë i së cilës varët Izraeli.

Obama nuk dëshiron që Irani të sigurojë bombën, por nuk dëshiron as luftë. Në anën tjetër, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netayahu, është i gatshëm të bëjë çdo gjë, për të frenuar Iranin.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka shprehur brengën e saj, duke theksuar se Irani mund të prodhojë bombën. Por a e justifikojnë këto indikacione luftën, një luftë që mund ta shpie rajonin edhe ashtu jo-stabil në prag të një katastrofe? Përvoja nga Iraku flet për atë se duhet kujdes. Fushata kundër Saddam Husseinit ka bazuar mbi dëshmi të pasakta. Armët për shkatërrim masiv, për të cilat thuhej se i ka prodhuar, nuk kanë ekzistuar fare. Obama nuk dëshiron që të futet në të njëjtin kurth.

Në realitet, duket se lufta ndërmjet Iranit dhe Izraelit, për programin bërthamor të Teheranit, ka kohë që është duke u zhvilluar. Është kjo një luftë e pashpallur, një luftë në hije, për të cilën besohet se Jerusalemi po e udhëheq që tashmë katër vjet.

Njësitë izraelite besohet se kanë vrarë shkencëtarët iranian në Teheran, duke përdorur bomba magnetike, agjentët izraelitë kanë sulmuar bazat e Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa viruset kompjuterik kanë gjymtuar teknologjinë bërthamore të Iranit.

Tani iranianët po përpiqen që të kundërpërgjigjen. Para tri javësh, auto-bombat, në shënjestër të së cilave ishin vënë diplomatët izraelit, shpërthyen në Indi dhe Gjeorgji, ndërsa shtetas iranianë u arrestuan edhe në Bangkok dhe Malajzi, pasi që bombat, të cilat kishin planifikuar t’i përdorin, shpërthyen para kohës.

Ngjarjet po zhvillohen me shpejtësi në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Tani, siç qëndrojnë gjërat, duket se Izraeli është i vendosur të sulmojë objektet bërthamore të Iranit. Sipas disa burimeve të inteligjencës, sulmet do të ndërmerren brenda këtij viti, me gjasë ndërmjet verës dhe vjeshtës.

Gazetari izraelit, Ronen Bergman, i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me politikanët e lartë izraelit, beson se kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes në Jerusalem tashmë kanë arritur pajtimin për nevojën e një aksioni ushtarak.

Netanyahu është tejet i vendosr, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, është i bindur se Mahmoud Ahmadinejadi mund të jap urdhër për sulme vetëvrasëse brenda territorit të Izraelit.

Vendosmëria e Izraelit ka bërë që iranianët të kërcënohen se do të kundërpërgjigjen, me çdo mjet që kanë në arsenalin e tyre.

Sulmi i mundshëm izraelit do të heshte të gjitha kritikat e brendshme kundër regjimit në Teheran dhe do të bashkonte popullin iranian. Lufta e fjalëve mes Ajatollahut Khamnei dhe presidentit Ahmadinejad do të harrohej.

Do të jetë ky një veprim baras-peshues për Obamën. Në njërën anë, ai dëshiron të frikësojë Iranin, me një kërcënim të besueshëm për sulm ushtarak. Në anën tjetër, ai synon të bindë Netanyahun që mos të hyjë në luftë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›