Izraeli bllokon “Rachel Corrie”, tërhiqet në portin e Ashdodit
Trupat izraelite kanë marrë nën kontroll anijen me ndihma “Rachel Corrie”, e cila po përpiqej të shkelte bllokadën për në Rripin e Gazës. Burime ushtarake izraelite kanë bërë të ditur se ushtarët kanë hipur në bordin e anijes irlandeze, ekuipazhi dhe pasagjerët e të cilës nuk kanë bërë rezistencë. Sipas burimeve, anija më pas u drejtua për në portin izraelit të Ashdodit. Bllokimi i “Corrie” erdhi pesë ditë pasi 9 persona mbetën të vrarë kur ushtarët izraelitë zbarkuan me helikopter në anijen me ndihma për palestinezët që vinte nga Turqia. Burimet kanë deklaruar se autoritetet morën në pyetje të gjithë ata që ndodheshin në bordin e anijes dhe më pas pritet që ndihmat të dërgohen në Gaza me rrugë tokësore, pasi të kenë kontrolluar të gjitha mallrat. Në bordin e anijes “Rachel Corrie” ndodheshin pesë shtetas irlandezë dhe 14 nga Malajzia, të gjithë aktivistë pro-palestinezë, si dhe anëtarët e ekuipazhit. Izraelitët thanë se e morën anijen paqësisht rreth 30 kilometra afër bregdetit të Gazës. Aktivistët në bord të anijes, më parë u shprehën se ishin të vendosur për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, por grupi nuk do të përdorte dhunë edhe nëse do konfrontohej nga forcat izraelite. Ata ishin shprehur se nuk do të respektonin urdhrin e qeverisë izraelite për të zbarkuar në portin e Ashdodit, por u shprehën të vendosur t’i shkoni dëri në fund detyrës së tyre humane për të çarë për herë të parë bllokadën e vendosur ndaj civilëve në Gazë. Anija ishte e ngarkuar me 20 tonë ndihma dhe në grupin e aktivistëve ndodhej edhe një laureat i Çmimit Nobel të Paqes. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanijahu i ka udhëzuar forcat izraelite që të mos i prekin aktivistët. Kjo ishte përpjekja e dytë brenda një jave e Lëvizjes për Lirinë e Gazës për të dërguar ndihma në Gaza. Të hënën, 8 turq dhe një amerikan me origjinë turke u vranë pasi komandot izraelite zbritën nga helikopterët në bordin e anijes së tyre. Suli izraelit është kritikuar nga ndërkobëtarët dhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, duke bërë thirrje që këto veprime të mos përsëriten në të ardhmen. Ndërkohë një protestë është zhvilluar dje në Nju Jork, në sheshin qendror të Manhatanit, Tajms Skuer, kundër sulmit izraelit. Protesta ishte organizuar nga Liga Arabe dhe mes të tjerave kërkohej që t’i jepej fund edhe bllokadës që Izraeli ka vendosur ndaj Autoritetit Palestinez. “Njerëzit këtu nuk kanë fjalë për të shprehur zemërimin e tyre. Ata do të dalin çdo ditë këtu për të protestuar kundër Izraelit”, është shprehur një prej demonstruesve.
Samiti i Koresë së Jugut, G20 paralajmëron sfidat e të ardhmes
Takimi Koresë së Jugut ku morën pjesë Ministrat e Financave të vendeve të industrializuara kanë rënë dakord se ekonomia botërore po rimëkëmbet me ritme më të shpejta seç pritej nga kriza bankare e vitit 2008. Në takimin e tyre delegatët e G20-ës, si dhe drejtorët e bankave qendrore të 20 vendeve më të pasura dhe vendeve të reja të industrializuara thanë se paqëndrueshmëria e tregut financiar gjatë kohëve të fundit tregon se ekonomia botërore ka ende mjaft sfida për të kaluar. Ata thanë se defiçitet e mëdha buxhetore duhen shkurtuar, por nuk ranë dakord për sa i përket krijimit të një fondi bankar që do të ndihmojë vendet që do të kenë probleme në të ardhmen. Një taksë globale mbështetet nga Amerika dhe Europa, por kundërshtohet nga vendet në zhvillim, si dhe nga Kanadaja dhe Australia. Takimi i djeshëm vendosi agjendën për samitin e Torontos që do të mbahet ne 26-27 qershor. Në deklaratën e tyre delegatët thanë se sektori financiar duhet të jepte një kontribut të drejtë dhe substancial për paketat e ardhshme të shpëtimit.
7 Qershor 2010