E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli dërgon rezervistë në Gazë

Autori i Lajmit: red.
Edhe një herë tjetër forcat izraelite të mbështetura nga tanket dhe anije luftarake, kanë vazhduar sulmet e tyre në rripin e Gazës. Ofensivës, që tashmë ka hyrë në javën e saj të tretë, i janë bashkuar për të parën herë dhe rezervistët ushtarakë në mënyrë që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Një zëdhënës ushtarak izraelit tha se një gjë e tillë bëhej për të ruajtur tempin e operacionit, kundër militantëve të Hamasit. Izraeli thotë se është shumë pranë arritjes së objektivave të tij në fushatën ushtarake në Gaza, por shton se ofensiva do të vazhdojë. Burime mjekësore palestineze bëjnë të ditur se 884 vetë janë vrarë që nga koha e fillimit të konfliktit. Burimet izraelite njoftojnë për 13 izraelitë te vdekur, përfshirë këtu edhe 3 civilë. Armata izraelite, sipas të dhënave të gjeneralit Avi Benajahu, ka dërguar në Rripin e Gazës që nga dita e hënë edhe njësitë rezervë në luftën kundër Hamasit, madje duke luftuar më shumë në terren sesa në ajër. Televizioni arab "Al Jazeera" njofton se edhe të hënën në mëngjes janë dëgjuar shpërthime të fuqishme. Helikopterët po fluturojnë pa ndërprerje. Këmbësoria izraelite dhe tanket janë futur në brendësi të qytetit Gaza, ku po zhvillojnë luftime të ashpra me luftëtarët e Hamasit. Presidenti izraelit, Shimon Peres, është i kënaqur me rezultatet e ushtrisë, në 16 ditët e luftës: "Janë dashur të zhvillohen shtatë luftëra, derisa arabët të kuptonin se Izraeli nuk mund të frikësohet me luftë. Tani është kaluar në terror, ndërkohë që ne duhet t u tregojmë terroristëve se Izraelin nuk mund ta mundin as me këto mjete. Ushtria kësaj radhe është në nivelin më të lartë“. Ndonëse makineria e luftës gjendet aktualisht në ofensivën e saj më të madhe, po shtohen sinjalet për përfundimin e luftës. Qeveria egjiptiane i ka arritur rezultatet e para në negociatat me Hamasin dhe Izraelin. Hamasi ka rënë dakord për vendosjen e armëpushimit sa më parë të jetë e mundur, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Në negociatat e Kajros po marrin pjesë dy përfaqësues të Hamasit, ndërsa në Damask tre. Osama Hamadan në Liban deklaroi se janë shënuar disa përparime të rëndësishme. Ndërsa qeveria egjiptiane do të vazhdojë negociatat edhe sot. Ushtria izrealite e sheh si sukses faktin që nga territori palestinez po lëshohen gjithnjë e më pak raketa kundër territoreve izraelite. Numri i raketave të hedhura është zvogëluar me 50 %, ndonëse e hëna shënoi dhe rikthimin e sulmeve të Hamasit pas rreth tri ditë pushimi.
Ky lajm është publikuar: 13/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›