E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli i druhet Iranit në prodhimin e armëve bërthamore

Izraeli paralajmëroi se Irani po i afrohet në mënyrë të rrezikshme synimit kur mund të aktivizojë armën bërthamore. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak tha se Irani po ecën me shpejtësi drejt rrugës pa kthim. Ministri i kabinetit, Yuval Steinitz, i cili ka qenë kryetar i komisionit parlamentar u tha: "Irani po përpiqet të ketë në zotërim armë bërthamore. Nëse Perëndimi nuk bën diçka për ta frenuar, Irani do ta arrijë synimet e tij brënda një ose dy vjetësh."
Irani tha se programi i tij bërthamor është thjesht për qëllime paqësore por sipas Steinitz, Izraeli ka prova se Republika Islamike po prodhon një bombë bërthamore.
"Ekzistojnë prova të mira, madje do të thosha prova të shkëlqyera zbulimi që tregojnë se kjo është e vërtetë. Kjo është më se e qartë për të gjitha shërbimet perëndimore të zbulimit."-shtoi Steinitz.
Izraeli është alarmuar nga provat që Irani bëri kohët e fundit me raketa, si dhe nga kërcënimet e mëparshme të presidentit të tij për ta zhdukur nga harta shtetin hebraik. Për këtë arsye udhëheqësit izraelitë po bëjnë thirrje për sanksione më të ashpra ndërkombëtare ndaj Iranit para se të jetë tepër vonë.
Gjithashtu Izraeli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se nëse diplomacia dështon, ai mund të bombardojë objektet bërthamore të Iranit për të shmangur çdo të papritur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›