Izraeli kërkon legalizimin e kolonive ilegale

Një grup ekspertësh do të gjejë si mund të shpallet legal ndërtimi i shtëpive në tokat private të palestinezëve.
Shumica e kolonive izraelite në Jordanin Perëndimor ndodhen në të ashtuquajturën tokë të shtetit, pra në toka që nuk i përkasin asnjë pronari privat palestinez. Këto ngulime, nga pikëpamja izraelite konsiderohen legale.
Tani synimi është që të shpallen legale disa nga të ashtuquajturat "pika të jashtme ilegale"- pra ngulime të vogla, të cilat janë ndërtuar qartësisht në toka të pronarëve privatë palestinezë.
Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, i cili është kompetent për lejet e ndërtimit në Jordanin Perëndimor, e konsideron këtë në disa raste të mundur.
"Unë nuk mendoj se është e mundur që të bëhet diçka atje, ku bëhet fjalë me të vërtetë për tokë private. Në vendet, ku toka është pronë private, nuk ka asnjë mundësi tjetër veç kthimit të saj pronarëve. Por ka vende, në të cilat toka nuk i përket shtetit, por ka një status tjetër. Nuk është as pronë private, as nuk ka dikë që ngre pretendim dhe ka një njohje të saj nga ana e qeverisë. Unë nuk mendoj se ekziston diçka e shenjtë, të cilën nuk mund ta verifikosh", tha Barak.