Izraeli kundërshton thirrjen e Ban Ki-Moon

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak ka kundërshtuar thirrjen e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon për të lejuar që ndihmat humanitare të hyjnë në Rripin e Gazës nëpërmjet pikave kufitare, që Izraeli i ka mbyllur për shkak të dhunës. Pyetjes se Radios të Ushtrisë lidhur me apelin e Ban Ki Moon, nëse Izraeli synon të hapë sërish pikat kufitare, Barak u shpreh: "Jo. Duhet të ketë qetësi në mënyrë që të hapen ato". Ban Ki-Moon i telefonoi të martën kryeministrit izraelit, Ehud Olmert dhe i kërkoi atij të lehtësojë kalimin e furnizimeve humanitare të nevojshme dhe të personelit të Kombeve të Bashkuara në Rripin e Gazës. Izraeli i mbylli pikat kufitare pasi militantët palestinezë u kundërpërgjigjen me hedhje raketash një inkursioni që ushtria izraelite bëri më 4 nëntor në territorin e drejtuar nga Hamasi. Ehud Barak e pranoi në një intervistë për radion se dhuna ishte ndezur nga sulmi izraelit, që ushtria theksoi se kishte shkatërruar një tunel në kufi që e kishin gërmuar militantët në Gaza dhe të mund të jetë përdorur për të marrë peng ushtarë izraelitë. Më shumë se dhjetë luftëtarë palestineze janë vranë gjatë dy javëve të fundit. Disa izraelitë janë plagosur lehtë nga dhjetëra raketa. Kombet e Bashkuara dhe agjencitë humanitare kanë shprehur shqetësimin se mos bllokada izraelite ndaj Rripit të Gazës, ku afro gjysma e popullsisë prej 1.5 milionë njerëzish varet nga ndihmat e OKB-së, mund ta çojë enklavën drejt një krize humanitare.