E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli liroi edhe 550 të burgosur palestinezë

Izraeli liroi 550 të burgosur palestinezë në kuadër të fazës së dytë të marrëveshjes me Hamasin, në bazë të së cilës u kthye në Izrael një ushtar izraelit, pasi u mbajt peng për pesë vjet në Rripin e Gazës.

Mes atyre që u liruan ishin edhe 55 adoleshentë, të moshave nga 14 në 17 vjeç.

Izraeli liroi 477 palestinezë në muajin tetor në shkëmbim për togerin e ushtrisë izraelite Gilad Shalit, i cili u kap në vitin 2006 gjatë një inkursioni ndërkufitar të Hamasit nga Gaza në Izrael.

Shërbimi izraelit i burgjeve tha se ndryshe nga shkëmbimi i të burgosurve në muajin tetor, asnjë prej atyre që u liruan në fazën e dytë nuk ishte dënuar për vrasjen e izraelitëve.

Në anën tjetër, ministri izraelit i Strehimit filloi të kërkojë kontraktues për të ndërtuar rreth 1000 shtëpi në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Shtëpitë bëjnë pjesë në planin e vendbanimeve, ndërtimi i së cilave u njoftua në fillim të këtij viti. Muajin e kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu dha urdhër për përshpejtimin e ndërtimeve, pasi UNESCO-ja i dha anëtarësinë Autoritetit Palestinez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›