Izraeli mban nën ethe SHBA-në

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që Izraeli t’u japë më shumë kohë sanksioneve të Perëndimit për të dhënë efektin e tyre ndaj Republikës Islamike.
Izraeli e konsideron kërcënim madhor për ekzistencën e vet, programin bërthamor të Iranit, po kështu dhe SHBA, që është shprehur gjithnjë kundër Teheranit.
“Amerika është e vendosur të parandalojë Iranin në përpjekjet për të siguruar armë bërthamore. Unë nuk përjashtoj asnjë alternativë në përmbushjen e këtij synimi”,
deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama.
Kjo deklaratë lë të hapur mundësinë e një ndërhyrje ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj kundër Iranit. Por hipoteza tjetër është ajo e një sulmi ajror izraelit ndaj bazave dhe centraleve bërthamore, për të vonuar procesin e ndërtimit të bombës bërthamore nga ana e Iranit.
Nga ana tjetër, Irani mohon se me programin e tij bërthamor po synon ndërtimin e një bombe bërthamore. Teherani zyrtar thotë se programi i tij është për qëllime paqësore.