E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orban kundërshton kritikët ndërkombëtar

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po mbron kushtetutën e re dhe ligjet e vendit të tij që po përballet me vështirësi financiare, duke thënë se ata që e kritikojnë janë të motivuar nga lakmia dhe duan të mbajnë Hungarinë në borxhe.

Orban i bëri komentet, ndërkohë që përballet me kritika në rritje rreth ligjeve që janë cilësuar si autokratike dhe pas dorëheqjes së homologut të tij rumun për shkak të protestave të përhapura atje.

Nën euforinë e duartrokitjeve të përkrahësve besnikë të partisë së tij në pushtet, para një radhe të gjatë të flamujve hungarezë në kompleksin ‘Millieninium Park’ në Budapest, Orban shfrytëzoi rastin për të mbrojtur arritjet e qeverisë së tij.

Në fjalimin e tij vjetor drejtuar vendit, Orban tërthorazi dënoi Komisionin Evropian, i cili është duke ndërmarrë masa ligjore kundër kushtetutës së re dhe disa ligjeve tjera, duke thënë se ato po minojnë pavarësinë e bankës qendrore të Hungarisë dhe gjyqësorit dhe nuk respektojnë parimet e privatësisë së të dhënave.

Orban ka vendosur aleatët e tij në institucione kyçe si autoritetet mbikëqyrëse të medies, të cilët mund të marrin masa kundër gazetarëve, nëse ata shkelin ato që kritikët thonë se janë rregulla të paqarta mbi raportimin e ekuilibruar.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe ish-disidentë të epokës komuniste kanë shprehur shqetësimin se vetëm 14 nga qindra grupe fetare janë njohur nga shteti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›