E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Izraeli, një regjim racist dhe mizor"

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, e ka quajtur dje Izraelin "një regjim racist mizor dhe shtypës ndaj palestinezëve"

në konferencën kundër racizmit të organizuar nga OKB-ja. Këto deklarata të pritshme kanë shkaktuar largime nga salla të disa përfaqësuesve të shteteve të ndryshme. Takimi ishte që në fillim problematik, pas bojkotimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa aleatëve të tjerë në lidhje me shqetësimin se konferenca mund të përdorej si një platformë për ndërmarrjen e sulmeve kundër Izraelit. Bojkoti ka bërë që Ahmadinexhadi, që edhe herë të tjera ka përdorur një retorikë të ashpër ndaj Izraelit, të ishte i vetmi kryetar shteti pjesëmarrës. Fjalimi i tij, sikundër druheshin vende të ndryshme, ishte kundër Izraelit. "Pas Luftës II Botërore hebrenjtë përdorën sulmet ushtarake për të lënë të pastrehë një komb të tërë nën pretekstin e vuajtjeve të hebrenjve", deklaroi Ahmadinexhadi. "Emigrantë nga e gjithë Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës u dërguan në Izrael për të krijuar një qeveri tërësisht raciste në Palestinën e pushtuar", vazhdoi Ahmadinexhad. Ndërkohë që ai nisi të flasë, dhjetëra diplomatë pjesëmarrës në këtë konferencë u ngritën dhe braktisën sallën e saj për sa kohë që zgjati fjalimi. "Vërejtje të tilla të tmerrshme antisemite nuk duhet të bëhen në një forum të OKB-së kundër racizmit", deklaroi ambasadori britanik në OKB, vendi i të cilit zgjodhi që të mos i dërgonte përfaqësuesit e tij në Gjenevë. Vetë Izraeli njoftoi se do e tërhiqte ambasadorin e tij nga Gjeneva në shenjë proteste për organizimin e konferencës, ndërkohë që zemërimin e tyre zyrtarët izraelitë ia shprehën edhe Presidentit të Zvicrës, Hans-Rudolf Merz. Sipas ministrit të Jashtëm norvegjez, Ahmadinexhad shkeli marrëveshjen e deklaratës së konferencës. Ai tha se vendi i tij nuk do të pranonte që të "grabiste" përpjekjet kolektive të shumë vendeve për të luftuar racizmin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, që pati para fjalimit një takim me Ahmadinexhad, tha se i vinte shumë keq që lideri iranian injoroi kërkesën e tij që të mos ta kthente fjalimin në një varg sharjesh ndaj Izraelit. Ndërkohë në takim nuk morën pjesë 8 vende, me pretekstin se ai do të dominohej, sipas fjalëve të vetë Obamës "nga hipokrizia kundërproduktive" dhe antagonizmi ndaj Izraelit. Megjithatë një numër delegatësh mbetën në sallë e madje edhe e duartrokitën Ahmadinexhadin. Presidenti amerikan tha të shtunën se Uashingtoni dëshironte një "nisje të pastër" dhe se nuk do të lejonte që të miratohej në fund të konferencës një tekst i ngjashëm me atë të vitit 2001, që ishte kundër Izraelit nga ana e vendeve arabe e myslimane. Presidenti francez, Sarkozi, i quajti vërejtjet iraniane si një thirrje të patolerueshme për urrejtje raciale, që bien ndesh me pikat e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, largimi i pjesëmarrësve nga konferenca ishte i përkohshëm. Ata qëndruan jashtë deri në përfundim të fjalës së Ahmadinexhadit, ndërkohë që delegacioni çek vendosi që të mos rikthehej më pas largimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›