Topi i kërkon liberalizimin e vizave Çekisë
Çekia do të mbështesë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtë garanci ka marrë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë vizitës që ka kryer dje në Republikën Çeke, ku u takua me krerët më të lartë shtetërorë të këtij vendi. Topi u prit dje në një takim nga Presidenti çek, Vaslav Klaus, i cili shprehu vullnetin dhe mbështetjen e palëkundur të vendit të tij për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij takimi, Presidenti ynë shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e Çekisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe për gatishmërinë e institucioneve çeke për të ofruar përvojën e tyre në këto drejtime. Të dy presidentët nënvizuan në këtë takim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Çekisë, në të njëjtën kohë shprehën vullnetin për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve çeke në vendin tonë dhe liberalizimin e regjimit të vizave. Presidenti Topi vuri në dukje se: “me gjithë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike të shënuar gjatë kohëve të fundit, për sa i përket bashkëpunimit ekonomik dypalësh, ka ende shumë për të bërë, duke pasur parasysh se, tradicionalisht, Çekia ka qenë një nga partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë. Edhe liberalizimi i regjimit të vizave do t’i shërbente akoma edhe më tej lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave”. Kreu i shtetit shprehu interesimin e palës shqiptare për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjetikës dhe infrastrukturës dhe nevojën e investimeve çeke në këto fusha. Presidenti Klaus vlerësoi rolin konstruktiv dhe moderues të faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit për paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë e tij afatgjatë, duke siguruar Presidentin Topi se Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë për anëtarësimin sa më të shpejtë në gjirin e familjes së madhe evropiane, kur ajo të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian në janar.