E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli shpall armëpushimin e njëanshëm në Rripin e Gazës

Izraeli filloi zbatimin e armëpushimit të njëanshëm në Rripin e Gazës, duke i dhënë kështu fund ofensivës tre javëshe, që sipas burimeve spitalore palestineze shkaktoi më tepër se 1 mijë e 200 të vrarë, shumë prej tyre civilë.

Kryeministri i Izarelit, Ehud Olmert, bëri të njohur ndalimin e ofensivës, duke thënë se Izraeli i kishte arritur synimet e veta në Gazë, duke e mundur keq Hamasin.
Forcat izraelite do të vazhdojnë të qëndrojnë në Gazë për disa ditë, ndërkohë që bëhen plane afatgjatë. 

Zoti Olmert tha se trupat izraelite do të përgjigjen, në se sulmohen. Një zëdhënës i Hamasit tha se ndalimi i njëanshëm i luftimeve nuk është i mjaftueshëm për t'i dhënë fund rezistencës së Hamasit. Zëdhënësi bëri thirrje për tërheqjen e plotë të Izraelit heqjen e bllokadës dhe hapjen e të gjitha pikëkalimeve kufitare të Gazës. 

Izraeli thotë se e filloi ofensivën në 27 dhjetor për t'i dhënë fund viteve të tëra me sulme me raketë të militantëve nga Gaza në Izrael. Vetëm disa minuta pasi Tel Avivi bëri të njohur armëpushimin e njëanshëm, në Izrael u hodhën disa raketa nga Gaza. Në konfliktin e tre javëve të fundit u vranë 13 izraelitë, tre prej të cilëve civilë.//lk

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›