“PS-ja shpif për abuzimet me tokat, sepse ka frikë nga verifikimi i abuzimeve me titujt e pronësisë”

Reagon PD-ja, pas shpifjeve të radhës të deputetit të PS-së Erion Braçe
Deputeti socialist Braçe hodhi dje një sërë spekulimesh për grabitje pronash, duke mos përmendur asnjë emër apo fakt konkret. Ai pretendoi vendosjen e një “morali” të ri nga PS në rast se fiton zgjedhjet e qershorit, ndonëse gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj asnjë zyrtar me peshë nuk u penalizua për grabitjen e qindra hektarë tokë kryesisht në zonën bregdetare turistike.
TIRANE - Partia Demokratike deklaroi dje se verifikimi i titujve të pronësisë do të nxjerrë në pah abuzimet me tokat dhe pronat e qytetarëve.
Zëdhënësi demokrat Gerti Bogdani, në përgjigje të akuzave të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, për grabitjen e tokave nga pushtetarët, tha të shtunën në një konferencë për shtyp, se “verifikimi i titujve të pronësisë, do të nxjerrë në pah abuzimet e mëdha të qeveritarëve dhe pushtetarëve me tokat dhe pronat e qytetarëve”.
“Edi Rama, nëpërmjet yllit të shndritshëm të politikës së re, Erion Braçe, nxori në treg shpifjen dhe trillimin e ditës, për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit, pa përmendur autor, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD-së, paçka se në këto qytete në pushtet është Partia Socialiste. Rama votoi kundër ligjit të verifikimit të titujve të pronësisë, sepse i trembet zbatimit të tij, që do të zbuloje vjedhjet dhe abuzimet me qindra e qindra hektarë tokë në zonat turistike dhe zona të tjera të vendit”, deklaroi Bodgani.
Vetëm pak orë më parë nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,
Erion Braçe, pretendoi se denoncoi abuzimet me tokat ndërsa nuk dha asnjë fakt apo emër konkret abuzuesi të mundshëm.