E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i vjetër i Edvinit, Ilir Beqja në konferencë shtypi, me faturën personale të papaguar të dritave

OSSH denoncon zyrtarin socialist që keqinterpretoi të dhënat duke u paraqitur si viktimë

Rekord shpërdorimi të përfaqësimit politik në selinë e PS-së. Ilir Beqja shfaqet në poltronën e konferencave me faturën e vet të papaguar të dritave, duke e paraqitur ngjarjen si një kryqëzatë të OSSH-së kundës socialistëve të thjeshtë. Shpërthejnë barcaletat në mjediset e gazetarëve

TIRANE - Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka përgënjeshtruar dje me fakte akuzat e Partisë Socialiste sipas së cilave OSSH po abuzon me faturat e energjisë elektrike. Pas publikimit të një fature energjie pa emër abonenti nga nënsekretari për Programin Politik, Ilir Beqja, Drejtori i Shitjeve në OSSH, Ilirjan Shkëmbi ka zbuluar para medias se kjo faturë i përket vetë zyrtarit socialist. “Abonentit socialist Ilir Beqja, energjia i është faturuar me korrektësi ose thënë ndryshe për muajin dhjetor 2008 ai ka konsumuar njësoj energji me periudhën kur partia e tij ishte në pushtet”, bëri të ditur dje Drejtori i Shitjeve në OSSH, Ilirjan Shkëmbi.
Manipulimi i Partisë Socialiste bëhet edhe më i rëndë se fatura e energjisë e prezantuar dje nga Ilir Beqja me të dhëna të mangëta, pasi pas verifikimeve të bëra, rezulton se ajo faturë i përket kontratës së vetë Ilir Beqjas. “Ai ka konsumuar 615 kilovat ore energji për muajin dhjetor. Kjo kontrate nga viti 2001 ka të njëjtin nivel konsumi deri me sot”, bënë të ditur burime zyrtare nga OSSH.
Në këtë kuadër Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos manipulohen nga spekulimet e Partisë Socialiste, e cila ka si synim primar përhapjen e panikut tek qytetarët. “Kjo është një përpjekje për manipulim. Por pavarësisht nga problemet që realisht mund të krijohen në terren, u bëj thirrje qytetareve që për çdo ankesë të kërkojnë zgjidhje pranë OSSH-së, dhe jo pranë PS, e cila vetëm i shfrytëzon dhe i manipulon ata”, deklaroi Drejtori i Shitjeve në OSSH Shkëmbi, duke shtuar se nëse do të ketë abuzime nga punonjësit e këtij institucioni ndaj tyre do të vazhdojnë që të merren masa, si deri me tani, dhe madje, do të çohen deri në ndjekje penale.
Drejtuesit e OSSH-së bënë po dje me dije se faturat e dhjetorit vërtetë mund të jenë më të larta se muajt e tjerë por kjo për shkak të rritjes së konsumit nga vetë abonentët.
“Vetëm gjatë dhjetorit është konsumuar 120 milionë kilovat orë më shumë se në nëntor. Por me gjithë rritjen e konsumit, OSSH garanton qytetaret se, ashtu si në vitin 2008, kompania do të vazhdoje furnizimin pa ndërprerje të energjisë elektrike”.
Në mesditë, duke iu referuar faturës së tij personale, Ilir Beqja deklaroi se “OSSH grabit sistematikisht buxhetet familjare shqiptare me faturat e energjisë elektrike”.
“Sipas  faturave të muajit dhjetor, periudha e faturimit nuk është 31 ditë, por 43 ditë duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovat. Pra, për çdo kilovat të konsumuar në 13 ditët e fundit të periudhës së faturimit, OSSH ka grabitur familjet shqiptare me 5 lekë, ndërsa administrata tatimore ka grabitur familjet shqiptare me 1 lek tatim mbi vlerën e shtuar”, pretendoi Beqja. Konferenca ka regjistruar një rekord shpërdorimi të përfaqësimit politik në selinë e PS-së. Ilir Beqja u shfaq në poltronën e konferencave me faturën e vet të papaguar të dritave, duke e paraqitur ngjarjen si një kryqëzatë të OSSH-së kundës socialistëve të thjeshtë. Por e gjithë situata, pas zbulimit të së vërtetës ka shkaktuar shpërthimin e një sërë barcaletave në mjediset e gazetarëve, të cilat shtriheshin në kohë, qysh kur ai nisi basketbollin me ekipin e Dinamos, si ortak i vogël i Edvinit, e deri tani, kur ai po shndërrohet në një ortak të rëndësishëm politik të kryetarit të PS-së

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›