E Diel, 1 Nëntor 2026

Punë për ne

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, ka thënë të enjten se selektori i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Agim Kasapolli, nëse dëshiron është i lirë të japë dorëheqje dhe se kjo është e drejtë e tij.

Deklarata e Belegut ka ardhur një ditë pasi Kasapolli paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga detyra e selektorit, nëse FBK-ja nuk e organizon një ndeshje miqësore ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës më datën 17 shkurt - për nder të Ditës së Pavarësisë.

Madje, Kasapolli pati deklaruar se nëse nuk zhvillohet një ndeshje e tillë në Prishtinë më 17 shkurt, atëherë në shtëpi duhet të shkojnë edhe zyrtarët më të lartë të FBK-së, përfshirë edhe kryetarin Belegu.

Mirëpo, njeriu numër një i basketbollit kosovar, Erolld Belegu tha se me organizime të tilla duhet të merret FBK-ja, e jo selektori Kasapolli.

“Kasapolli është njeri i basketbollit. Por, mendoj se ai duhet të flasë rreth çështjeve profesionale të basketbollit, e jo të merret me çështje organizative, sepse atij nuk i takon të merret me menaxhim apo me organizim. Bordi i ka organet e veta të cilat merren me këto çështje, përfshirë edhe drejtorin e reprezentacionit”, tha Belegu për Express.

Ai pohoi se Kasapolli është i lirë të jap dorëheqje nga detyra e selektorit, nëse vetë ai dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.

“Këto janë punë të brendshme të federatës. Këto janë politika të cilat i bënë federata e jo selektori. Nëse selektori dëshiron të jep dorëheqje, është i lirë ta bëjë atë punë. Ato që i thotë selektori, është e drejtë e tij t’i thotë. Por, unë mendoj se ai nuk duhet të merret me këto punë, por duhet të merret me punët e tij”, deklaroi Belegu, i cili potencoi se aktualisht është shumë më e rëndësishme që të gjitha palët të merren me inkuadrimin e FBK-së në FIBA, sesa të merren me organizim të ndeshjeve miqësore.

Belegu thotë se FBK-ja ende nuk është anëtare e FIBA-s, fakt ky që e vështirëson punën rreth organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës me reprezentacione të shteteve tjera.
“Çështja e zhvillimit të ndeshjeve dhe çështja e politikave të federatës caktohen prej Bordit të FBK-së, dhe nuk caktohen nga njerëzit të cilët i ka emëruar Bordi. Ne ende nuk jemi anëtar të FIBA-s, dhe organizimi i ndeshjeve të tilla varet nga vullneti i mirë i ndonjë përfaqësuese tjetër. Megjithatë, ne kemi zhvilluar shumë ndeshje ndërkombëtare si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës dhe ne jemi federata e cila kemi organizuar më së shumti ndeshje të tilla”, përfundoi Belegu.

Agim Kasapolli është emëruar përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll në muajin shtator të vitit që e lamë pas, dhe nga ajo kohë e deri më tani ende nuk e ka zhvilluar asnjë aktivitet të vetëm me basketbollistët e reprezentacionit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›