Emërimet, ikin komandantët e dy reparteve speciale
Emërimet e reja në Policinë e Shtetit do të përfshijnë këtë herë Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Dy nga tre repartet e ndërhyrjes së shpejtë do të jenë me drejtues të rinj. FNSH-ja e Jugut, që ndodhet në Fier, nuk do të ketë më në drejtim komandantin aktual, Bujar Ahmeti, i cili e mori këtë detyrë në vitin 2007, pak pasi u largua nga detyra e komandantit të RENEA-s. Bujar Ahmeti njihet si një nga komandantët me jetëgjatë në krye të RENEA-s (Repartit të Eliminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur). Ai e mori drejtimin e repartit më special shqiptar në vitin 1997 dhe e la detyrën në vitin 2007, kur drejtori i atëhershëm i Policisë së Shtetit e zëvendësoi me Luigj Vathin, një nga oficerët më me eksperiencë të RENEA-s, pjesëmarrës direkt në dhjetëra operacione të këtij reparti. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë për gazetën se Ahmeti do të vijë në krye të Repartit të FNSH-së 712 në Tiranë, ku do të zëvendësojë drejtuesin aktual, Osman Levanaku, i cili erdhi në këtë detyrë nga funksione komanduese në Gardën e Republikës. Levanaku do të kalojë në një pozicion më të lartë se ai i komandantit të repartit ku ka shërbyer për dy vjet me radhë, në drejtimin e një reparti edhe më special. FNSH-ja do të përfshihet në vazhdim edhe nga ndryshime të tjera që duket se janë në përpilimet e fundit. Nuk do të mbeten jashtë ndryshimeve edhe reparte më speciale se ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Drejtori Burgaj ka marrë propozimet për kandidatura që mund të zëvendësojnë drejtuesit atje, por pritet të vendosë pas konsultimit me vartësit e tij në Departamentin e Sigurisë Publike dhe Drejtorinë e Forcave Lëvizëse Operacionale, nga ku varen direkt këto forca.
#