E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli u kundërpërgjigjet raketave të lëshuara nga Libani

Shkëndija të reja lufte mes Izraelit e Libanit u shfaqën në horizont të shtunën paradite, pasi disa raketa u lëshuan nga territori libanez në drejtim të veriut të Galilesë, prej të cilave u plagosën lehtë dy civilë izraelitë. Forcat e armatosura të shtetit hebre iu kundërpërgjigjën menjëherë zjarrit, duke sulmuar të paktën gjashtë herë me mortaja në drejtim të veriut, predhat e të cilave goditën disa fusha të mbjella, por pa shkaktuar viktima.

Hezbollahu dhe Fatahu distancohen

Lëvizja libaneze shiite antiizraelite Hezbollah, deklaroi menjëherë distancimin nga sulmi, duke sqaruar se nuk kishte kurrfarë dijenie, ashtu siç bënë shpejt me dije edhe dy grupet më të mëdha palestineze të pranishme në Liban, Fatahu dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (FPÇP). Burime zyrtare të ushtrisë libaneze deklaruan se sulmet qenë ndërmarrë nga të "panjohur".

Asnjë përshkallëzim

Megjithatë, përveç këmbimit të zjarrit nuk u shënua asnjë përshkallëzim me karakter ushtarak, edhe pse ushtritë e dy vendeve, bashkë me kaskat blu të misionit të OKB-së në Liban (Unifil), tashmë janë në gjendje alarmi maksimal. Vetëm një prej raketave të lëshuara nga territori libanez (tri sipas Hezbollahut, dy sipas ushtrisë libaneze) shpërtheu brenda territorit izraelit, në afërsi të Malutit, zonë jo larg Linjës Blu që shtrihet përreth kufirit të dy vendeve. Të tjerat kanë rënë pranë kufirit, por në territorin libanez. Sipas asaj që bën me dije Ministria libaneze e Mbrojtjes, raketat e llojit "Katjusha" janë lëshuar nga disa "fusha bujqësore" që gjenden në një zonë rreth 10 kilometra në veri të kufirit të përkohshëm e kontrolluar nga kontingjenti italian i Unifil-it, u përbërë prej më shumë se 2 mijë trupash.

Kryeministri dënon aktet

Izraeli akuzoi menjëherë qeverinë libaneze si përgjegjëse të sulmeve. Ndërkohë që Kryeministri i Libanit, Fuad Siniora, nga ana e tij dënoi me forcë si goditjen me raketa të territorit të shtetit hebre, ashtu si edhe kundërpërgjigjen izraelite, duke e përkufizuar "dhunim të pajustifikueshëm të sovranitetit libanez".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›