E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani: Nuk paguajmë më shumë se 3 milionë dollarë për Bekham

Pas mesazhit të Los Anxhelos Galaksi, të cilët e kanë cilësuar "ofenduese" ofertën prej 3 milionë dollarësh për Devid Bekham, ka ardhur kundërpërgjigjja e ashpër e Milanit. Adriano Galiani, administratori i klubit kuqezi deklaroi: "Kërkesa e tyre nuk është logjike për merkaton tonë, theksoi ai në mikrofonat e ‘Milan Channel‘. Për një klub si Galaksi, Devid është ylli i skuadrës, lojtari që tërheq sponsorët dhe tifozët, ndërsa te Milani mesfushori nuk do të bënte ndonjë diferencë të madhe. Këtu ai do të ishte njëri prej shumë yjeve të ekipit. Mendoj se kjo është diferenca mes shifrës që i kemi ofruar klubit amerikan dhe kërkesës së tyre". Me fjalë të tjera, drejtuesit e Milanit nuk kanë ndërmend që të shpenzojnë shifra të "çmendura" për të mbajtur lojtarin e përfaqësueses angleze: "Absolutisht jo. Kam eksperiencë dhe e di mjaft mirë se çfarë çmimi ka një lojtar. Sipas parametrave evropianë, do të ishte e pakuptimtë të shpenzonim më tepër se 3 milionë dollarë". Më 2 maj, Bekham do të festojë 34-vjetorin e lindjes dhe pretendimi i Los Anxhelos Galaksi, se kartoni i mesfushorit kushton të paktën 12 milionë dollarë, cilësohet i ekzagjeruar. Për më tepër, sipas asaj që shpjegon Galiani, "në janar të vitit 2010 Bekham do të jetë lojtar i lirë. Vlerësimet e ndryshme për kartonin e futbollistit lidhen me faktin se Seria A është një kampionat i afirmuar, ndërkohë që në Amerikë ai është imazhi i këtij sporti. Nuk duhet të harrojmë as se në SHBA shohin më tepër aspektin komercial, ndërkohë që kur një lojtar transferohet te klubet evropiane, pikësëpari, ai vlerësohet për aspektin teknik". Gjithsesi, numri 2 i klubit italian nuk kërkon të bëjë polemika. "Milani bëri ofertën që cilësonte më të përshtatshme për një huazim 8-mujor, pasi ashtu si kanë konfirmuar vetë drejtuesit e Galaksi, më 30 nëntor, Bekham mund të largohet me parametër zero. Gjithsesi, nuk kam ndërmend të bëj polemika për këtë çështje, përkundrazi, falënderoj klubin amerikan që e lejoi mesfushorin të luante me Milanin gjatë këtyre muajve".

Për të zgjidhur situatën, duket se do të ndërhyjë personalisht "Spice boy". Bekham është i gatshëm të bëjë gjithçka për të qëndruar te Milani deri në fund të sezonit dhe marrëveshja me klubin nga Los Anxhelos nuk është e pamundur. Sipas gjasave, ai do të propozojë aktivizimin "part-time". Britaniku duhet të kthehet në SHBA më 9 mars, ndërkohë që kampionatin përtej Atlantikut starton më 22 mars (Galaksi luajnë kundër DC Junajted). "Major League" ka 30 ndeshje në total, ndërkohë që kampionati ndërpritet më 20 tetor. Por, Bekham synon të luajmë me Milanin deri më 31 maj dhe pas mbylljes së kampionatit në Itali të luajë me Galaksi prej 6 qershorit. Me këtë zgjidhje, 34-vjeçari do të humbiste "vetëm" 11 ndeshje në Ligën amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›