E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, Zola-Klark për të ardhmen

Sipas mediave angleze, trajneri i Uest Hemit, Xhanfranko Zola, dhe asistenti i tij, Stiv Klark, janë kandidatët më të fortë për të marrë drejtimin e Çelsit në fund të këtij sezoni. Madje, disa gazeta në Britani e shohin pothuajse të sigurt se ata do të prezantohen në "Stemford Brixh" gjatë verës së ardhshme. Pas deklaratave të Gus Hidink, i cili debutoi me fitore dje në fushën e Aston Vilës, se do të qëndrojë me blutë deri në fund të kampionatit, drejtuesit e klubit kanë filluar të përgatisin terrenin për zëvendësuesit. Zola ishte idhulli i tifozerisë gjatë periudhës 1996-2003 kur luante me ngjyrat e Çelsit dhe janë të shumtë ata që dëshirojnë ta shohin në krye të skuadrës. Në anën tjetër, edhe Klark gëzon një reputacion të mirë te londinezët. Ai regjistron mbi 300 ndeshje të luajtura me këtë ekip nga viti 1987 deri më 1998, ndërkohë që ka punuar si asistent i Hoze Murinjos, në periudhën kur klubi fitoi dy tituj radhazi në Premiership (vitet 2005 dhe 2006). Së fundmi, disa prej lojtarëve janë ankuar se që prej momentit kur Klark u largua nga stafi teknik, forma e tyre fizike ka pësuar rënie të ndjeshme. Gjithsesi, Uest Hemi nuk do të dorëzohet lehtë dhe pritet të bëjë të pamundurën për të mbajtur trajnerin dhe zv/trajnerin në "Upton Park".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›