E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli vijon bllokadën në Gaza, dëbon aktivistët e anijes irlandeze

Izraeli dëbon aktivistët e anijes së shtatë të nisur me ndihma drejt Gazas. Do të largohen jashtë vendit dhe aktivistët që vetëm një ditë më parë tentuan me anijen Rachel Corri të canin bllokadën në Gaza. Sipas ministrisë së Brendshme 8 anëtarët e ekuipazhit dhe 11 aktivistët kanë firmosur dokumentat e deportimit dhe u transportuan drejt aeroportit Ben Gurion. Izraeli vazhdon të ruajë bllokadën e Rripit të Gazës me ndërhyrje ushtarake pavarësisht nga indinjata ndërkombëtare.

Ushtarët e marinës izraelite kanë marrë kontrollin e tragetit "Rachel Corrie" që udhëtonte me flamurin irlandez të ankoruar tashmë në portin izraelit Ashdod. Aty ngarkesa po u nënshtrohet kontrolleve për tu dërguar më pas në Rripin e Gazës. Kryeministri i izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se qeveria e tij edhe në të ardhmen do ta mbajë bllokadën e Rripit të Gazës pavarësisht nga presioni ndërkombëtar gjithnjë në rritje për një zbutje të bllokadës.

Mjaft më me sulme kundër anijeve, mjaft më me bllokadën kundër Gazas ka qenë në fakt thirrja e protestuesve që prej gati një jave tashmë vazhdojnë të tubojnë në kryeqytetet e botës. Në Europë 5 mijë vetë tubuan në Paris e marshimet nuk munguan as në qytete të tjera franceze. Me mijëra edhe në Londër ndërsa bëhej fjalë për një turmë prej më tepër se dhjetë mijë personash në Stamboll. Edhe në Izrael në Tel Aviv, 5 mijë persona arabë hebrej e muslimanë manifestuan së bashku kundër pushtimit të territoreve palestineze duke kërkuar një zgjidhje; dy popuj, dy shtete.

Delina Bitraku Azhornuar së fundi ( e diel , 06 qershor 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›