E Shtunë, 31 Tetor 2026

JA PSE KOSOVA ËSHTË RAST SUI GENERIS...!

Fehmi Ajvazi*

Territori i Kosovës, përfshinë hapësirën e territorit të lashtë iliro – shqiptar. Kosova, ka një territor prej 10. 877 kilometra katrorë. Kosova, në vitin 1981 kishte 1.584.440 banorë ( versioni zyrtar i statistikës së regjistrimit të asokohshëm komunist ). Regjistrim i detajuar i popullsisë në Kosovë, nuk është bërë më asnjëherë që nga ky vit. Kosova, në dy dekadat e fundit është e njohur maksimalisht jo vetëm në planin e brendshëm nacional por, edhe në atë ndërkombëtar. Më shumë, për shkak të konfliktit me serbët – konflikt ky që mori dimensionet të gjëra ndërkombëtare të konfliktit – luftë ( lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO –s: 24 mars – 12 qershor, 1999 ). Pa hyrë në të kaluarën historike të largët të Kosovës, më poshtë japim disa nga ngjarjet dhe proceset nëpër të cilat kaloi Kosova, gjatë shekullit të kaluar ( XX-të ):
1. Pasqyrë e dhunës dhe e terrorit mbi shqiptarët nën Jugosllavinë e Parë
Kosova, ka një histori të dhembshme në shekullin e kaluar, ashtu si gjithë territoret etnike shqiptare, dhe kjo histori nuk është shkruar deri në fund. Njësoj, si edhe e gjithë historia e kombit tonë. Ka një “alfabet” historik, politik dhe juridik që është përshkuar aq dendur me logjikën teorike dhe praktike të “alfabetit” të krimit e pështimit: deri, në tragjedi. Nga viti 1912, dhe deri te pushtimi i hapur i Kosovës nga serbët si dhe të territoreve të tjera etnike nga ish mbretëria jugosllave ( SKS / 1918 ), historia e Kosovës ndërthuret ashpërsisht: në Londër – 1913 / 1915, në Versajë – 1919 etj. Nga Lufta e Parë Ballkanike, shteti si Mali i Zi doli me një territor të fituar prej 62 %, dhe 100 %, popullsi. Serbia, fitoi një zgjerim në territor në 82 % ,dhe në 55% popullsi. Greqia: 68% territor, dhe 67 % popullsi. Sipas statistikave turke, vetëm vilajeti i Kosovës kishte një popullsi shqiptare prej 743.040 banorë, nga gjithsej, 912.902 banorë, sa kishte i gjithë vilajeti. Me okupimin serbë të vjeshtës së vitit 1912, ish vilajeti i Kosovës u nda në 5 qendra administrative: qarku i Kumanovës, i Shkupit, i Jeni – Pazarit, i Prishtinës dhe qarku i Prizrenit. Nacionalizimi dhe spastrimi, pushtimi i territoreve shqiptare ka një histori shumë të dhimbshme deri në vititn 1939, ku veç të tjerash përfshihet politika e dhunshme – gjenocidale e asimimilimit, por edhe e konvertimit të shqiptarëve në ortodoks ose, në serbo – malazias. Pas vitit 1939, vazhdon epoka po kaq e errët e sundimit dhe e dhunës nacional – komunist sebosllave kundër shqiptarëve, në të gjitha viset ku ata kanë jetuar në territorin e ish Jugosllavisë. Të tjerat gjëra, s’duan koment. Po i sjellim disa fakte dhe të dhëna të Institutit të Historisë së Kosovës: më 22 tetor të vitit 1912, në Prishtinë ( në vendin ku sot gjendet Teatri Kombëtarë ), xhandarmëria serbe pushkatoi rreth 5000 shqiptar. Në kampin e Nishit, ishin dërguan, 1350 veta. Nga viti 1912, deri në mars të vitit 1914, politika e spastrimit detyroi që të shpërngulen për në Turqi, hiq më pak se 239. 807 shqiptarë, pa u llogaritur numri i fëmijëve, deri në 6 vjeç. Ky numër njerëzish, deri në gusht të vitit 1914, u shtua për 41.655 veta, pa numëruar po ashtu, fëmijët deri në 6 vjet. Në mes të viteve 1919 – 1940, për në Turqi, u detyruan të shkojnë gjithsej: 255. 878 shqiptar. Kur po flasim për shpërnguljet, në mes të viteve 1913 – 1939, për në Shqipëri, u detyruan të largohen 4.046 familje. Askush nuk e di se sa familje, u vendosën në vendet e Europës dhe të Amerikës. Në shkurt të vitit 1914, u nxor Dekreti për Reformën Agrare dhe Kolonizimin e territoreve shqiptare. Kështu, në Dukagjin, u nda tokë e llojllojshme për 5000 familje kolonësh. Në mes të viteve 1918 – 39, u shpërbën 320 fshatra. Në vitet 1918 – 21, u vranë 12.364 veta, kurse u burgosën 22.160 veta. Ngritja e kolonive serbo – malaziase, ishte një koncept praktikë i sistem kolonial dhe i sistemit të nacionalizimit territorial: mes viteve 1912 – 14, janë sjellë në Kosovë 15.943 familje. Këtyre familjeve, u ishin ndarë, 228.000 hektarë tokë. Në periudhën 1919 – 1927, u ndërtuan 106 koloni me serbo – malaziase, dhe u ngritën 245 vendbanime të reja. Në këtë punën spastrimi e gjenocidi, Dr. Hakif Bajrami ka konstatuar faktin se që nga “Naçertania” ( 844), në Beograd janë sjellë më shumë se 24 programe, me objektiva dhe nivele të destinimeve të veçanta. Të gjitha këto programe, janë detajuar dhe janë aprovuar zyrtarisht, nga shteti. Në kohën kur Kosova ishte pushtuar pas vitit 1912, në Beograd, ishte themeluar “Klubi kulturorë serb”, misioni i të cilit ishte shpopullimi, asimilimi dhe, serbizimi i trojeve shqiptare. Akademiku i ardhshëm fashisto – socialistë serb Vasa Çebrilloviç, përpiloi elaboratin etnocidial “Shprëngulja e shqiptarëve”. Sërbomadhi tjetër Ivan Vukotiq, përpiloi projektin Mbi Pushtimin e Shqipërisë për qeverinë e tij, më 1939. Në vitin 1941, avokati çetnik nga Sarajeva, Stevan Molloviq hartoi projektin me titull „Serbia homogjene“. Një tjetër nacionalistë famëkeq serbë Dr. Ivo Andriq ( fitues i çmimit Nobel për Letërsi ), përpiloi “Projektin për ndarjen e Shqipërisë në mes të Jugosllavisë dhe Italisë”, në vitin 1939. Planet e këtilla të niveleve shtetërore serbo - jugosllave, nuk lanë anash infiltrimet, bashkëpunimet dhe përkrahjet e Rusisë, të Greqisë, të Italisë, të Turqisë, të Francën etj. Një nga këto bashkëpunime, i sinkronizuar me shumë kujdes dhe në mënyrë të rafinuar, ka qenë gjithmonë bashkëpunimi serbo – rusë. Por, një tjetër bashkëpunim politiko – taktikë me pasoja të pariparueshme për shqiptarët, Serbia e ka bërë me Turqinë. Nga viti 1926, qeveria serbo –sllave në Beograd, kishte vënë kontaktet me qeverinë turke në Stamboll për shpërnguljen e sa më shumë shqiptarëve, në shkretëtirat e Anadollit. Turqia, ndër të tjera, me shqiptarët që i vendoste kryesisht në shkretëtirat e Anadollit, ndërtonte “mur strategjik” për kundërvënie koherente elementit kurdo - arab. Në pranverë të vitit 1938, në Stamboll, ishin mbajtur 8 seanca në përpilim të Konventës. Marrëveshja, parashihte fillimisht, shpërnguljen e 40.000 familjeve. Konventa jugosllavo – turke, është nënshkruar më 11 korrik, të vitit 1938.
2. Pasqyrë e dhunës dhe terrorit mbi shqiptarët nën Jugosllavinë e II- të
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, dhe pas mbarimit të kësaj lufte, përkundër trajtimit fashist të shqiptarëve në kohën e mbretërisë serbo – sllave në Beograd ( 1918 – 1939 ), koha nuk rrodhi, ashtu siç ishte thënë e besuar. Implikimi i ideologjisë komuniste në Ballkan, i bëri njerëzit të besojnë se e ardhmja do të jetë më e mirë, e përbashkët dhe, multietnike. Kjo ideologji, në parim, i vendoste të drejtat dhe liritë e popujve në planë të parë, duke i proklamuar këto liri si unike për të gjithë, deri në vetëvendosje, dhe “deri në shuarjen e shtetit” ! Dhjetëra e qindra popuj, miliona njerëz, e kishin besuar “parimin” ideologjikë komunistë të lirisë e vetëvendosjes. Ndërsa që kishin qenë për shekuj të tërë nën sundimin otoman, ndërsa që ishin braktisur pothuajse fare nga bota perëndimore, shqiptarët, një pjesë e tyre e madhe, e kishin besuar këtë doktrinë. Por, në praktikë, gjërat kishin shkuar ndryshe. Si edhe në shumë vende të tjera, komunistët serbo - jugosllav nuk e kishin zbatuar këtë doktrinë, përkundrazi, e kishin përdorur si trampolinë për t’i zgjeruar apetitet e tyre pushtuese dhe të zgjerimeve, që kishin fillin qysh me ardhjen e tyre në Ballkan, në shekullin IX, e këndej. Ja kronologjia e aneksimit dhe e dhunës që komunistët serbo – jugosllav dhe pushteti në Beograd, gjatë periudhës 1943 – 1990, e zbatuan kudo në viset ku jetonin shqiptarët, dhe veçmas në Kosovë. Komunistët jugosllav, pas një periudhe të organizimit dhe të forcimit të tyre ideologjikë nga viti 1937, u tubuan në mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë (KAÇKJ), më 29 nëntor të vitit 1943, në Jajce të Bosnjes, Në këtë mbledhje, komunistët serbo – jugosllav, u përcaktuan për një Jugosllavi federale. Në Jajce, nuk ishin ftuar komunistët shqiptar të Kosovës. Nuk ishin ftuar, sepse pjesëmarrësit në Jajce u dakorduan për të vazhduar politikën e mbajtjes së Kosovës të pushtuar edhe më tutje, si dhe vazhdimin e spastrimit të saj, etnik. Qysh nga koha e mbretërisë Serbe – Kroate dhe Sllovene, viset shqiptare shtriheshin në tri banovina: ajo e Vardarit, e Moravës dhe banovina e Zetës (1929). Në këto rrethana, si dhe në rrethana të lutës ndërkombëtare antifashiste, komunistët jugosllav që udhëhiqeshin nga J.B. Tito, duki i shkelur parimet e tyre ideologjike dhe nacionale, si dhe doktrinat e lirisë dhe të vetëvendosjes së popujve, u përcaktuan për vazhdimin e politikës koloniale dhe të dhunës, kundër shqiptarëve. Pak a shumë, e njëjta politikë, domethënë politika e dhunës dhe e ekspansionit, u orientua edhe kundër Shqipërisë. Komunistët serbo – jugosllav, dhe vetë Tito, ka të dhëna dhe indicie që dëshmojnë se kishin objektiva në themelimin e një federate ballkanike, në krye të së cilës një ditë, do të viheshin ata, vetë.
Duke synuar politika demagogjike dhe ekspansioniste, në Kosovë dhe në viset e tjera ku jetonin shqiptarët, u vazhdua me dhunën dhe terrorin: nga aty ku e kishte lënë mbretëria SKS. Kështu, Administrimi Ushtarak i Pushtetit, u vendos më 8 shkurt të vitit 1945, në Kosovë dhe në viset e tjera ku jetonin shqiptarët. Arsyetimi: në emër të luftimit të atyre që kishin qenë në anën e fashizmit gjerman dhe të luftimit të organizatës Balli Kombëtar, si dhe në emër të mbledhjes së armëve nga populli, në emër të kolektivizimit socialist etj. Por në fakt, kjo u bë për ta pacifizuar popullin shqiptar përmes terrorit e dhunës sistematike, në mënyrë që të shkohej më lehtë drejt aneksimit përfundimtar. Sipas të dhënave ende të pashkruara detajisht, gjatë këtij shtetrrethimi besohet se janë vrarë e likuiduar, rreth 47.000 shqiptarë. Vetëm në rajonin e Tetovës, ishin arrestuar 10.000 veta, prej të cilëve pa gjyq, u likuiduan 12.00 veta. Gjatë kohës së këtij terrori të egër, komunistët serbo – jugosllav, organizuan më 10 korrik të vitit 1945, të ashtuquajturin Kuvendi i Prizrenit. Në këtë kuvend, selia e të cilit ishte e rrethuar me forca të mëdha partizano – çetnike, pjesëmarrësit u detyruan të pranonin dhe të nënshkruanin atë cfarë iu tha atyre nga komunistët serbo – jugosllav dhe nga kolaboracionistët shqiptarë, të ashtuquajtur komunistë dhe partizanë shqiptarë. “Përmes gjoja plebishitit të popullit shqiptar, thuhej që ky kuvend kishte vendosur që Kosova, t’i bashkohen Serbisë“ ! Por, ky kuvend proklamoi “Rezolutën” e ripushtimit dhe të aneksimit të Kosovës, si dhe të territoreve të tjera shqiptare. Në fakt, në Prizren u vendosë me forcë mbetja e Kosovës, nën Jugosllavi. Në këtë Kuvend, s’pati vullnet të popullit. Në të vërtetë, s’kishte as qëndrim të qartë, parimorë dhe burrërorë të përfaqësueseve shqiptarë që ishin në atë kuvend. Njëri nga delegatët, Ramiz Hoxha – Cërnica ( përfaqësues i komunës së Gjilanit), nuk e pranoi këtë dokument, dhe e kundërshtoi aty – për aty. Ishte edhe një tjetër delegatë, kundërshtues. Asnjë, tjetër! Ramiz Hoxha – Cërnica, ishte dënuar me burg shumëvjeçar, pasi që i kishte shpëtuar pushkatimit, kurse i dyti, ishte likuiduar pas kuvendit.

(Autori është gazetar dhe politolog. Ka mbaruar ligjëratat për Magjistraturë në drejtimin Administrativo – Politik në Universitetin Dardania. Është Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës)

18 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›