E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja 697 objektet me status monument natyre

Autori i Lajmit: red.
Në fondin e Monumenteve të Natyrës të vendin tonë listohen 697 objekte natyrore, me vlera të veçanta e të papërsëritshme shkencore, ekologjike, por dhe kulturore e historike.
Albumi, ku është ilustruar ky fond, tashmë është ideuar dhe publikuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, i financuar nga Qeveria Holandeze. Ky album pasuron serinë e botimeve për evidentimin dhe promovimin e vlerave të natyrës shqiptare. Ai ka karakter informues, ndërsa synon të ndihmojë në përkujdesjen dhe mbrojtjen e monumenteve të natyrës dhe të interesit të turistëve për këto pasuri natyrore me vlera të veçanta. Lista aktuale e Monumenteve të Natyrës pasqyron kriteret aktuale të cilësimit të kësaj kategorie të zonave të mbrojtura. Kujdes i veçantë është bërë dhe po bëhet që në evidentimin dhe vlerësimin e objekteve natyrore të hulumtohet lidhja e tyre me legjenda, rite fetare apo pagane, ngjarje historike, etj, ndaj specialistët e mjedisit po punojnë për përfshirjen në listën aktuale dhe të objekteve të tjerë, që meritojnë të kenë këtë status. Në bazë të ligjit, Monument Natyre është objekti i natyrës me vlera unikale të pakthyeshme shkencore, kulturore, historike, ekologjike, didaktike, fetare; habitat e një lloji të rrallë endemik relikt ose i kërcënuar për zhdukje dhe sipërfaqe deri në 50 hektarë. Monumentet e Natyrës përbëjnë vlera të trashëgimisë kombëtare, duke u radhitur në kategorinë e tretë të zonave të mbrojtura. Sipas ligjit, Monumentet e Natyrës, për vetë rëndësinë e tyre, gëzojnë mbrojtje të kategorisë së parë, në përputhje me të cilën nuk lejohet tjetërsimi i vlerave për çfarëdolloj qëllimi ekonomik, veprimtari që ndryshojnë karakterin e tyre, apo rrjedhën natyrore të evolucionit të tyre.

Kategoritë dhe karakteristikat e Monumenteve të Natyrës

Monumentet e Natyrës ndahen në disa kategori në bazë të kritereve të veçanta natyrore të tyre, por dhe që lidhen me historinë, ngjarje të veçanta të saj. Kështu, Monumentet e Natyrës ndahen në gjeomonumente, ku përfshihen 291 prej tyre, apo 41.6 për qind. Në këtë kategori përfshihen të gjithë objektete natyrore gjeologjike, si zhveshje apo fosile unikale, struktura dhe formacione të rralla gjeologjike, apo objektet gjeomorfologjike të krijuara nga era, erozioni, etj. Në këtë kategori mund të përmenden Shkëmbi i Kavajës, kanioni i Sinecit në Sulovë (Gramsh), apo Guri i qytetit në Përmet, etj. Në kategorinë hidromonumente numërohen rreth 98 monumente natyrore, apo 14 për qind e fondit të tyre. Në këtë kategori përfshihen liqenet akullnajore dhe karstikë, burime të mëdha dhe interesante, ujëvara, etj, ashtu sikurse Syri i Kaltër në Delvinë, burimi i Drilonit në Pogradec, Ujëvara e Sotirës në Gramsh apo Ujëvara e Rehovës në Kolonjë, etj. Në kategorinë biomonumente numërohen rreth 308 monumente natyrore, apo 44.4 për qind e fondit. Në këtë kategori përfshihen drurë, grupe drurësh me kurorë interesante, apo me moshë të hershme, habitate të përbëra nga shoqërime bimore të virgjëra ose të gjallesave të rralla, etj. Këtu mund të përmendim Pishën Flamur në Parkun Kombëtar të Llogarasë, Pylli i përzier i Maliqit, Rrapi i Gurës së Labinotit, Rrapi i Libohovës, etj.
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›