Letra/ Si ta lexojmë ndryshimin e marshit për Kosovën!

Këshilli i Sigurimit, miratoi unanimisht planin e ri, i njohur tashmë si gjashtëpikëshi, plani i cili u kundërshtua me forcë nga pala kosovare. Në këtë aspekt, fituese ishte diplomacia serbe, e cila me veprimet e saj arriti të mposhtë qëndrimin e Prishtinës dhe miqve të saj historikë. Kësaj here, në mos armiq, për Kosovën nuk pat shumë miq. E s’ka se si të ishte ndryshe, pasi vula për Kosovën, për Shqipërinë, për të gjitha shtetet e vogla gjendet diku gjetkë. Atje vendosin, e të tjerët edhe të pa kënaqur, duhet të pranojnë buzëqeshjen e hidhur të pranimit të një plani, që cenon dhe prek një popull të tërë. Nga provoja historike, është dëshmuar vazhdimisht, se rëndësia e një populli dhe e drejta e tij, janë copëza ligjesh të hedhura në letër. Kësaj here, fatin e kësaj “anomalie” ndërkombëtare e pati populli i Kosovës. Ata nuk patën shumë të drejtë, e s’kishte se si, sepse ligjin e bëjnë të mëdhenj, edhe i padrejtë qoftë. Ne duhet të pyesim me habi se ç’ndodhi në politikën perëndimore? Ne duhet të pyesim, se pse ndryshoi kaq shpejt marshi i diplomacisë? Përgjigjet, janë sa të vështira, aq edhe të thjeshta. Në Amerikë, ndryshoi presidenti. I pari, “mik” i shqiptarëve, nuk ka më fuqinë e duhur edhe pse është ende në pushtet. I dytë, hapur, me një injorancë të theksuar historike, deklaroi se populli serb paska vuajtur gjatë historisë. Kjo është tejet komike nga pikëpamja teorike, dhe shumë tragjike nga pikëpamja politike. Ballkanasit, dhe veçanërisht ne shqiptarët jemi ata që kemi vuajtur nga sllavët. Edhe sot po vuajmë, veçse në mënyra të moderuara. Lufta me mjetet e paqes është shumë më e rrezikshme, se lufta tjetër. Serbët dhe lobet e tyre gjetën terrenin tashmë, atje ku ndodhet vula e vendimeve të rëndësishme ndërkombëtare. Ku do të na çojë treni i historisë, që në epokën moderne drejtohet nga SHBA-të? Mirënjohja na takon sërish tek Obama, tek amerikanët, në fund të fundit, edhe kjo boll është për ne, përderisa ata vendosin dhe ne, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të orvatemi me kundërshti, që për sytë e lobeve të fuqishme, duken përkëdhelje mizash në bishtin e luanit. Në OKB, ekziston një kartë për të drejtat e njeriut dhe të popujve. Atje bazohen shumë shtete, për të marrë vendimet për shtete të tjera. Sigurisht, bazimi në një ligj që është për të gjithë, edhe i gabuar qoftë mund të quhet i drejtë, pasi ligji është për të gjithë. Por nuk është e thënë kështu. Ajo kartë, që fle në rrënojat e historisë, duhet të mbyllet në muzeum, për të mbajtur kujtim të përpjekjeve të popujve për të gjetur të drejtën. Standardet tashmë, janë të shumëfishta. Kjo është arsyeja që diplomacia ndryshoi qëndrim për Kosovën. Shqiptarët e Kosovës, nuk duhet të fajësojnë kurrsesi pushtetarët e tyre. Në këtë rast, ata nuk kanë faj. Faji i përket edhe një herë tjetër, Jeremiçit, si më i fundit diplomat që përtej syzeve fshihen sy “skifteri”, që dëshirojnë të gllabërojnë çdo copëz Kosove. Faji i përket historisë, ku si gjithmonë mbeten heronj ata që kanë vrarë dhe masakruar. Jeremiçi është më i fundit, i mbështetur në shumë raste edhe nga këshillat “hyjnore” të ndonjë prifti, që rëndom i mbyllur në manastire për të gjetur strehën e Zotit, bën thirrje për luftë. Këta janë serbët, kjo është historia. Edhe ne shqiptarët jemi pjesë, si gjithmonë në anën e paqes. Na pëlqen edhe kështu. Kur s’mundemi të bëjmë luftë, të paktën të jemi në krahun tjetër, atë të paqes. Historia vijon ende..... Të shohim se ç’të rejash do të kemi, në historinë obamike! Për të mos u zgjatur shumë, t'i biem më shkurt, pasi sot është një ditë e vrenjtur për ne shqiptarët. Për këtë, duhet të qëndrojmë më shumë në heshtje. Për politikën, nuk duhet folur shumë, aq më tepër kur ajo është amerikane. Në politikë dhe në lobe, nuk ka rëndësi e drejta, por ndikimi dhe përfitimi. Kësaj here fituan serbët e Serbisë dhe të Obamës dhe humbën shqiptarët e Kosovës. ...