Shqipëria, tashmë me regjistër elektronik të Gjendjes Civile

Ministria e Brendshme prezanton sistemin në prezencë të ambasadorëve të KE-së dhe OSBE-së, të cilët vlerësojnë kursin reformator të kabinetit “Berisha” dhe vullnetin për të mbajtur zgjedhje brenda standardeve ndërkombëtare
Ministria e Brendshme prezantoi në një ceremoni të posaçme sistemin on-line të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Pas mbledhjes dhe hedhjes së të dhënave në mënyrë elektronike, konvertimit të tyre për t’i përshtatur me sistemin elektronik, kalimit në sistemin e ri, trajnimit të punonjësve dhe testimit të sistemit, fillon menjëherë për Tiranën funksionimi i sistemit elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile dhe në të gjithë vendin në mes të muajit Dhjetor.
Në panelin e organizuar me këtë rast dhe të drejtuar nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni ishin të pranishëm zëvendëskryeministri Genc Pollo, Kryetari i Prezencës së OSBE në Tiranë Robert Bosch dhe i ngarkuari me punë i Delegacionit të Komisionit Evropian, Luigi Brusa.
Të pranishmit në këtë ceremoni, të zgjedhur në nivel qendror e lokal, ndoqën një prezantim të drejtpërdrejtë të funksionimit on-line të Regjistrit Kombëtar të Shtetasve.
Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh në fjalën e tij se përfundimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile shënon përfundimin e një faze shumë të rëndësishme që lidhet me sigurinë e identitetit të shtetasve dhe lehtësim në verifikimin e identitetit të shtetasve, si dhe krijimin e kushteve shumë kohë para zgjedhjeve për krijimin e listave të zgjedhësve në nivel qendror e lokal. “Kjo gjithashtu shënon edhe bazën e sigurt për ecurinë dhe suksesin edhe të projekteve të tjera shumë të rëndësishme veçanërisht atij të prodhimit dhe shpërndarjes të dokumenteve të identitetit letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, dhe të konsolidimit të sistemit të adresave në Shqipëri”, deklaroi Poni.
Zëvendëskryeministri Genc Pollo pasi vlerësoi punën e autoriteteve dhe punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe të gjitha autoriteteve të tjera në nivel qendror e lokal që u angazhuan në këtë proces, vuri theksin në dy impakte imediate të rëndësishme politikisht që sjell funksionimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. “Janë listat e zgjedhësve, objekt kontestimi të rëndësishëm politik kur bëhej fjalë për listat e përkohshme apo për zgjedhësit me kod 999, që tashmë me këtë regjistër të kompjuterizuar janë një çështje e mbyllur. Funksioni i dytë imediat për jetën e qytetarëve është ai i lëshimit duke filluar nga muaji Janar, të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, një nevojë në kushtet tona të brendshme dhe në kushtet ndërkombëtare që kërkojnë dokumente të sigurta për të ofruar një siguri të përgjithshme”, u shpreh Pollo. Nga ana e tij, ambasadori i OSBE në Tiranë Robert Bosch shprehu kënaqësinë e të qenit dëshmitar në hedhjen e një hapi mjaft të rëndësishëm për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të gjendjes civile.
Ambasadori Bosch e vlerësoi këtë hap edhe si një mbështetje të rëndësishme për reformën elektorale, konkretisht prodhimin e listave të zgjedhësve duke nënvizuar ndërkohë se është e nevojshme që në vijimësi t’i kushtohet kujdes përditësimit të të dhënave e po kështu edhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Robert Bosch, tha se prova e vërtetë për sistemin e ri do të jetë zbatimi i saktë dhe i përditshëm nga zyrat e gjendjes civile. “Ne përshëndesim dhe përgëzojmë punën e madhe që është kryer nga stafi i Ministrisë dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në përgatitjen e Regjistrit të ri,” u shpreh ai. I ngarkuari me punë i Delegacionit të Komisionit Evropian, Luigi Brusa vlerësoi gjithashtu rëndësinë thelbësore që ka funksionimi i Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile, duke e konsideruar këtë hap si realizimin e një prej kushteve të rëndësishme të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Brusa sugjeroi që autoritetet shqiptare të vijojnë mbështetjen për modernizimin e këtij sistemi me burime njerëzore dhe duke alokuar fonde me qëllim për të pasur rezultate të qëndrueshme. “Një sistem i shëndoshë i regjistrit civil dhe adresave është guri i themelit për lista zgjedhësish të besueshme dhe për dokumente të besueshme. Ende duhen akorduar burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për të siguruar bashkërendimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj përparësie kyçe të Partneritetit Evropian”, u shpreh Brusa.
...