Ja depuetët që i është hequr imuniteti pas ‘90
TIRANE- Heqja e imunitetit parlamentar të deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, nga ana e Kuvendit nuk është rasti i vetëm në historinë e parlamentit pluralist shqiptar të pas viteve '90.
Kuvendi i Shqipërisë që nga viti 1992, kur u zgjodh edhe parlamenti i parë pluralist, është përballur disa herë me rastet e heqjes së imunitetit të deputetëve, pas kërkesave që organi i Prokurorisë së Përgjithshme i ka drejtuar Kuvendit, për nisjen e ndjekjes penale.
Më poshtë vijojnë emrat e deputetëve, të cilëve parlamenti iu ka hequr imunitetin nga viti 1992 e deri më sot:
- Qershor 1993- Fatos Nano, në atë kohë në postin e kryeministrit, i hiqet imuniteti i deputetit, pas kërkesës së Prokurorisë për ndjekje penale, lidhur me akuzën "për abuzim në detyrën e Kryeministrit dhe korrupsion “në favor të të tretëve”.
- Në vitin 1995, deputeti Azem Hajdari përballet me heqjen e imunitetit për një incident të tij ndaj një punonjësi të administratës.
- Qershor 1997- Gafurr Mazrekut i hiqet imuniteti, pas incidentit me deputetin Azem Hajdari, të cilin e plagosi me armë në ambientet e parlamentit.
- Korrik 1998- Azem Hajdarit i hiqet imuniteti pas një kërkese të Prokurorisë, e cila e akuzon deputetin e PD-së, për "fyerje të personit, për shkak të detyrës".
- Dhjetor 2007 -Lulzim Bashës i hiqet imuniteti i deputetit pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekje penale ndaj tij lidhur me fondet e rrugës Durrës-Kukës, në periudhën kur ai ishte ministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve.
- Qershor 2008-Fatmir Mediu, Kuvendi voton pro heqjes së imunitetit të tij parlamentar për t'i hapur rrugën hetimeve nga Prokuroria për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit.
- Prill 2009- Nikollaq Neranxit i hiqet imuniteti pas akuzave të prokurorisë "për kontrabandë mallrash".
(s.g/ATSH/BalkanWeb)