E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja dobitë e limonit në trajtimin e hipertensionit

Autori i Lajmit: red.
Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje, që bëhet mjaft serioze me kalimin e moshës. Hipertensioni mund të çojë në infarkt dhe në humbje të jetës. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore.

Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Mjekët popullorë rekomandojnë lëngun e përftuar nga shtrydhja e të paktën 4 kokrrave në ditë. Lëngu mund të pihet ashtu siç është ose i ëmbëlsuar. Kura me limon këshillohet të zgjasë për 2 muaj. Sëmundja e hipertensionit, është pasojë e çrregullimeve të funksioneve të aparateve nervore qendrore, që marrin pjesë në rregullimin e presionit të gjakut. Por ajo mund të shfaqet edhe me rritjen e moshës si dhe prej sëmundjeve të veshkave. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme.
Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë, që ky agrum të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre. Megjithatë, limoni nuk rekomandohet vetëm nëse dhimbjet e kokës janë si pasojë e tensionit të lartë, por edhe nga faktorë të tjerë. Për lehtësimin apo ndaljen e dhimbjeve, mjekët këshillojnë lëngun e limonit, të cilin mund ta shtoni me ujë, në rast se nuk e pini dot siç është. Edhe në sëmundjet me temperaturë të lartë dhe që shoqërohen me etje dhe pakësim të urinës, lëngu i limonit ka dhënë efektin e dëshiruar. Pirja e menjëhershme e lëngut e ul atë dhe normalizon dhe qetëson të sëmurin. Për këtë qëllim, mund të përdoret edhe lëkurat e thata të limonit, të cilat, pasi hidhen në një sasi të vogël alkooli, lihen për 8 ditë dhe nga masa e përftuar merren 20 pika që treten në ujë. Mjekimi me lëkurat e limonit ka dhënë efekte të menjëhershme në uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjeve të kokës.
Në formë gargare, lëngu i përftuar nga shtrydhja e limonit dhe shtimi me ujë rekomandohet në infeksionet e gojës. Në acarimet e mishrave të dhëmbëve si dhe për të ndalur gjakrrjedhjen, specialistët këshillojnë gargarë, disa herë në ditë. Limoni është i pasur me vitaminë C, vitaminë që parandalon infeksionet dhe ndal hemorragjinë. Gjithashtu, gargara me limon shërben në qetësimin e fytit të skuqur dhe pakëson dhimbjet e shkaktuara prej tyre.
Vera e kuqe zvogëlon rrezikun e bllokimit të enëve të gjakut
Një studim i kryer nga mjekë të klinikës “Mayo” në Shtetet e Bashkuara, tregon se një në çdo katër vetë, mbi moshën 45-vjeçare mund të preket nga sëmundje të zemrës. Të dhënat e studimit i shtyjnë mjekët dhe pacientët të kenë parasysh, se pushimi i zemrës nuk shkaktohet vetëm nga pompimi i pamjaftueshëm i gjakut, por edhe atëherë kur pompimi i gjakut është normal, por zemra nuk është në gjendje ta absorbojë atë. Simptomat tipike të kësaj sindrome janë lodhja, vështirësi në frymëmarrje, enjtje të këmbëve dhe probleme në ritmin e rrahjeve të zemrës. Për të shmangur një fatkeqësi, mjekët e kësaj klinike rekomandojnë zbatimin e masave parandaluese kundër presionit të lartë të gjakut. Një tjetër mënyrë për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës është pirja e verës së kuqe. Ndërkohë, shkencëtarët britanikë kanë zbuluar arsyen përse vera e kuqe parandalon rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ata thonë se kjo realizohet pikërisht nga një lëndë kimike natyrore që ndodhet në verën e kuqe dhe që pakëson rrezikun e bllokimit të enëve të gjakut. Kjo substancë quhet Polifenols dhe ajo gjendet në lëkurën e rrushit të zi dhe të kuq.

Kakaoja ul presionin e gjakut
Kakaoja të zgjat jetën dhe ndikon në uljen e presionit të gjakut. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip shkencëtarësh të universitetit “Colonia” në Gjermani. Studimi është publikuar këto ditë në “Journal of American Medical Association” dhe në të theksohet se konsumimi i disa gramë çokollate të hidhur në ditë ndikon në uljen e presionit të gjakut, me pasojë përmirësimin e shëndetit të sistemit kardiovaskular. Në studim janë analizuar rastet e 44 vullnetarëve të moshave nga 56 deri në 73 vjeç, që vuanin nga hipertensioni apo me vlera të presionit në limitet e normës. Gjysmës së pacientëve u është kërkuar të konsumonin çdo ditë çokollatë të hidhur, ndërsa pjesës tjetër çokollatë të bardhë. Në përfundim të studimit ka rezultuar se grupi i parë shfaqte përmirësime të dukshme në vlerat e presionit të gjakut, më tepër se personat e grupit të parë.
Te ky grup presioni i gjakut ishte në vlera të ulëta dhe niveli i sheqerit në gjak nuk ndryshonte. Për studiuesit, efekti dobiprurës i atribuohet polifenoleve (substanca antioksidante) që gjenden me shumicë te kakaoja. Për studiuesit gjermanë nuk është e nevojshme të konsumohen shumë çokollatë në ditë për të marrë sasinë e duhur të polifenoleve, mjafton të konsumohen 30 gramë në ditë për të pasur përmirësime.

Në vend të yndyrnave, vaj ulliri
Mënyra e ushqyerjes është mjaft e rëndësishme në shfaqjen dhe ecurinë e hipertensionit. Arsyeja pse e themi këtë, është fakti që studime të ndryshme kanë treguar se ushqimet që konsumojmë, ndikojnë në shanset e shfaqjes së hipertensionit. Njëkohësisht, një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit mund të ulë rrezikun e shfaqjes së hipertensionit, madje mund të ndikojnë në stabilizimin e tensionit kur ai është në vlera të larta. Një personi që ka probleme me hipertensionin, i rekomandohet përdorimi i ushqimeve me përbërje të ulët yndyrnash të ngopura, yndyrnash në total dhe kolesteroli. Kjo përfshin konsumin e sa më shumë zarzavate, frutave dhe bulmet pa yndyrë. Ne u rekomandojmë këtyre personave të ndjekin një dietë sa më të pasur në fruta, zarzavate dhe drithëra. Dihet që, nëse konsumohen në sasi të larta yndyrat, ato ndikojnë në shfaqjen dhe acarimin e hipertensionit. Gjithsesi organizmi i njeriut ka nevojë për një sasi të vogël. Prandaj rekomandohet përdorimi i yndyrave me origjinë bimore, si p.sh vaji ulliri, por dhe me këto nuk duhet abuzuar.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›