Prodhuesit me fason: Po na shkatërron rritja e taksave dhe konkurrenca e padrejtë
Një prej bizneseve më të rëndësishme në vend, ai prodhimit të konfeksioneve dhe të këpucëve, ka kërkuar dhe nga qeveria shqiptare uljen e pagave të referencës dhe përkrahje në pagimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për makineritë që ai eksporton. Përfaqësues të këtij biznesi e cilësuan gjendjen e tyre në rënie dhe biznesin të dobësuar nga konkurrenca e pandershme dhe nga presionet fiskale të administratës dhe të legjislacionit shqiptar. “Është e kotë të gënjejmë veten. Konkurrentët tanë i ndihmon shteti, kurse ne vetëm na merr”, - thotë Alfred Pjetra, fasonist. Gjatë një takimi me zëvendësministrin e Financave, Florion Mima, dhe këshilltarin e kryeministrit, Petraq Milo, fasonistët thanë se kjo situatë ka ardhur për shkak të reformave fiskale që ka ndërmarrë qeveria. “Ju ulni sigurimet, por rrisni pagën minimale pesë herë në vit dhe ne paguajmë edhe më shumë se sa paguanim me sigurimet e rritura”, - u shpreh Bardha Loci, fasoniste. Ndërsa një tjetër fasonist, Ferdinand Kokona, theksoi se “për të konkurruar duhet të blejmë makineri të reja, që jo vetëm kushtojnë, por kanë edhe një TVSH të lartë.” Qeveria nuk ka ndërmend të pranojë rishikimin e pagës minimale, por zëvendësministri Mima iu ka premtuar bizneseve të fasonit një lehtësim, që ka të bëjë me punonjësit e punësuar rishtas. “Punonjësit e punësuar rishtas do të paguajnë vetëm 0.5 për qind sigurim”, - u shpreh Mima. Eksportet me material gjysmë të gatshëm përbëjnë mbi 50 % të totalit të eksporteve shqiptare. Kjo industri është gjithashtu dhe një nga më të rëndësishmet në vend sa i takon punësimit. Ajo numëron rreth njëqind mijë të punësuar dhe është e qartë se është pjesa më e rëndësishme e ekonomisë prodhuese në vend. Fakti që qeveria shqiptare zotohet të çojë në 0,5 % sigurimin për punonjësit që nisin rishtas punë nuk do të bëjë që kjo industri të rigjallërohet, pasi vështirësitë e këtij sektori kanë ardhur më së shumti nga konkurrenca e padrejtë dhe rritja e barrës së taksave. Ky sektor punon me mall të porositur dhe e ka thuajse të sigurt tregun e shitjes. Tashmë që vendi pritet të futet në një fazë më të vështirë ekonomike për shkak të situatës së ekonomisë botërore, gjendja e këtij sektori do të vijë duke u përkeqësuar dhe masa e vendosjes së sigurimit për punonjësit me 0,5% nuk do të ketë ndonjë efekt.