E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy pushtete

Nga Baton Haxhiu

Jam i tunduar të pyes, tani që është mbërritur në një pikë pa kthim situata: Çfarë do të bëjnë Berisha dhe Rama për grevistët? Çfarë do të bëjnë mediat dhe ata që krijojnë opinion në Shqipëri për një situatë të pazakontë dhe goxha dramatike?

Le të bëjmë një vështrim të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe, që të mund të sqarojmë krizën në të cilën ndodhet politika shqiptare.

Më fjalë të tjera, cila e drejtë ka përparësi? Ajo e shtetit të Berishës apo ajo e pushtetit të Ramës? Ajo e pushtetit qendror apo e pushtetit të Tiranës?

Mendoj se përgjigjja nuk është e vështirë, ndonëse si logjikë politike nuk shkon të sqarohet, për shkak se subordinimi i pushtetit ka logjikën e vet.

Po provojmë të sqarojmë dy pushtetet brenda një logjike shtetërore.

Të gjithë e dimë që Berisha i ka fituar zgjedhjet në 2005. Humbës i atyre zgjedhjeve ishte Partia Socialiste.

Duke qenë politikisht i tërhequr, Edi Rama qëllimisht iku nga beteja politike që të përfitojë nga humbja e Partisë Socialiste.

Në zgjedhjet lokale përdori Metën që të fitojë zgjedhjet lokale duke u fuqizuar në postin e kryetarit të bashkisë, pozicion ky që i jepte shpresën e qërimit të hesapeve brenda një partie të humbur dhe moralisht të shkatërruar.

Edi Rama nuk u bë kryetar si rezultat i përplasjeve, por duke fituar zemrën e Ilir Metës, ku së bashku me LSI, fitoi betejën për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Duke qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, vendosi kritere tjera për anëtarësinë e PS. Vendosi një protektorat mbi anëtarët kryesorë të saj duke i shndërruar ata në njërën anë të përjashtuar dhe të pafuqishëm, për faktin se u shndërruan në njerëz që presin lëmoshën e ndonjë nderi bashkiak.

Duke vendosur pushtetin e lëmoshës mbi anëtarët e tij, vendosi edhe një pushtet të vetin, që në një mënyrë krijoi një geto të vetën politike, thënë ndryshe feudin e tij, që i mundësoi të diktojë ligjin e tij që ishte i veshur me pushtet. Edi Rama e kishte të qartë se, duke qenë i veshur me pushtetin e Tiranës, nuk ishte në opozitë. Ishte po aq i fuqishëm politikisht, sa arriti ta dekompozonte perandorinë socialiste dhe ta krijonte të vërtetën e tij politike. Natyrisht që më nuk i duhej Ilir Meta.

Detyra kryesore e Edit ishte të rifitonte besimin të vetja. Ai e kishte të qartë se, duke kthyer besimin të vetja, nuk dëshironte që kjo t’i ndodhte duke luftuar fort, por energjinë e harxhonte duke eliminuar të kaluarën. Ai e kishte të qartë se me diçka që po bënte nuk dëshironte që e kaluara të kthehej përsëri, e sidomos nuk dëshironte që ajo të kthehej si dikush mund ta priste apo dëshironte. Ai dikush ishte Ilir Meta.

Për fat të keq, njeriu që pretendon të jetë vizionar, u bë ngulfatës i idesë së identitetit të LSI, duke e luftuar partinë e re me burokracinë e ligjeve. Së pari, Kushtetutën, pastaj me ligjin zgjedhor dhe së fundi me Kodin.

Të tria këto janë të bëra në bashkëpunim me pushtetin qendror të Berishës duke vendosur kritere të ashpra kundër opozitarit Meta.

Kjo praktikë vazhdoi edhe pas goditjes përfundimtare, ku Berisha dhe Rama vazhdojnë të emërojnë gjëra që eliminojnë çdo koncept tjetër rregullash që dalin nga interesat e tyre.

Një mënyrë tjetër më e sofistikuar e lojës, që po zhvillohet, e gjetjes së fajtorëve është ajo që Rama kërkon brenda shoqërisë së majtë dhe jo jashtë saj. Në shënjestër vihet Meta dhe më konkretisht ideja e tij që të jetë i vetëm në idenë e tij politike.

Edhe Rama edhe Berisha po bëhen luftëtarë të zellshëm kundër demokracisë në Shqipëri duke ngulfatur çdo ide që pretendon të jetë ndryshe nga dëshirat e tyre.

ǒi ka bërë Meta - Berishës dhe Ramës?

Iu ka prishur rehatinë e dominimit total. Pra, rehatinë e dy pushteteve, të cilat funksionojnë në mënyrë perfekte.

Nuk guxohet të lejohet që shoqëria shqiptare të vijë deri aty që qeverisja dhe shoqëria të arrijnë deri në atë nivel të tillë të lirisë e të mendimit dhe të shprehjes, që të bëjë të tjerët, qofshin ata të majtë apo të qendrës, apo të djathtë, të largohen nga bindjet e tyre për të kërkuar strehë te Berisha dhe Rama.

E para, është e pamoralshme që të ndërtosh monopol politik me fuqinë e burokracisë së dy pushteteve duke kufizuar gjithçka tjetër.

Berisha dhe Rama duhet të jenë burim frymëzimi e jo burim të ngulfatjes së demokracisë.

Kështu si shkon puna, po krijohet një traditë apo një kulturë politike dhe shoqërore, që të jetë model posaçërisht i Berishës dhe Ramës. Historia politike e Shqipërisë është tepër e largët, ndërkohë që përvoja politike e Ramës tepër e shkurtër, që të mund të shërbejë si kulturë ramiste në politikë.

Ata duket se kanë fshirë secili historinë e tyre të mëparshme, duket sikur duan të mohojnë nga kanë lindur dhe përmes çfarë mundësish janë bërë liderë politikë në vend. Ata kanë vendosur papritur të arkivojnë historinë e tyre politike, historinë e konkurrencës dhe mbijetesës politike dhe ta fillojnë nga e para duke lindur të dy në një ditë. Dhe tashmë më ngjajnë si dy vëllezër siamezë, që po lindin të ngjitur në shpinë të njëri-tjetrit, për të mos lënë askënd mes tyre. Dhe dihet si është i paracaktuar fati i siamezëve. Ata vdesin në një ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›