E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve: Deputetët të lënë sallën. Përgjigjja: S’largohemi

Nga L.Progni

Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur dje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vendosur që deputetët grevistë të mos vazhdojnë më grevën në ambientet e Kuvendit, por të kërkojnë mjedise të tjera, që sipas kësaj konference janë më të përshtatshme.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, “Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike.

Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme.”

Por kjo konferencë ka dalë dhe në konkluzione për sa i përket reformës zgjedhore dhe ka deklaruar se nuk pranon presione politike si greva e urisë. Në njoftimin përfundimtar të mbledhjes thuhet se procesi për reformën është ende i hapur dhe gjer më tani në proces është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike, të mundshme. “Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore. Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush. Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit. “Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, - përfundon ky njoftim.

Policia: Padi ndaj protestuesve, po thyejnë ligjin

Policia e Tiranës ka ngritur padi ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim për protestën e mbështetësve të saj para parlamentit, duke theksuar se është bërë pa lejen e nevojshme dhe cenon ligjet e shtetit. Policia bëri dje thirrje publike që të zbatohet ligji, çka nënkupton largimin e protestuesve prej aty. “Në vijim të njoftimit të datës 10 nëntor 2008, Policia e Tiranës ka marrë masa të menjëhershme në drejtim të sigurimit të rendit publikut, pasi për rreth tri ditë, Lëvizja Socialiste për Integrim, me Sekretar të Përgjithshëm z. Petrit Vasili, kanë zhvilluar një tubim përballë Kuvendit të Shqipërisë, pa njoftuar më parë në Policinë e Tiranës, duke bllokuar kështu segmentin në rrugën “Xhorxh. W. Bush”. Drejtoria e Policisë qarkut Tiranë, me fillimin e grumbullimit të tubuesve më datë 10, 11, dhe 12 nëntor 2008, ka planifikuar dhe ka marrë masat për sigurimin e rendit publik duke bashkëpunuar me Gardën e Republikës. Përgjatë këtyre tri ditëve, tubuesit kanë qëndruar në vendin e sipërcituar dhe deri më tani nuk ka pasur probleme apo konfrontime përmes tubuesve dhe forcave të policisë.

Në mënyrë të vazhdueshme nga ana e drejtuesve të Policisë së Tiranës janë marrë takime me organizatorët dhe drejtuesit e tubimit, duke i bërë me dije se tubimi në fjalë bie në kundërshtim me aktet ligjore, për të cilën iu është kërkuar respektimi i Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet” neni, 1 pika 2”, - thuhet në njoftimin e policisë.

“Sqarojmë se veprimet e pjesëmarrësve në tubim duke u shtrirë, ulur dhe qëndruar në këmbë, përballë hyrjes kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, cenojnë rëndë sigurinë e Institucionit që ruhet dhe sigurohet nga forcat e Gardës së Republikës, të cilat përgjigjen përveç objektit, por edhe për ruajtjen e sigurimin gjatë lëvizjes së personaliteteve të larta shtetërore.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u njeh shtetasve të drejtën e shprehjes së mendimit nëpërmjet aktiviteteve masive. Por, ushtrimi i këtyre lirive dhe të drejtave, që sigurisht në vetvete përmbajnë detyrime e përgjegjësi për palët, i nënshtrohen disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara ligjërisht dhe që në një shoqëri demokratike përbëjnë masat e nevojshme për sigurimin kombëtar, për mbrojtjen e rendit e parandalimin e krimeve, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit, të drejtave dhe lirive të të tjerëve”, - vijon njoftimi.

Padia nga policia e Tiranës është dorëzuar në prokurori dje. “Sa më sipër, Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë ka dërguar materialet procedurale në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të parashikuar në nenin 262/1 të Kodit Penal. Policia e Tiranës iu kërkon edhe një herë publikisht organizatorëve dhe drejtuesve të tubimeve respektimin e dispozitave të Ligjit “Për Tubimet” dhe konkretisht të Kreut II, “Tubimet në sheshe dhe vendkalime publike”, - thuhet në njoftimin e policisë.

“Të vendosur të mos dalim nga salla e Kuvendit”

Deklaratë e deputetëve në grevë urie, reagim ndaj mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve dhe disa vendimeve dhe veprimeve të PD-PS

U mbushën 48 orë nga çasti kur 11 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe PS '91, filluan një grevë urie pa afat, në mbrojtje të votës së lirë, që përsëri rrezikohet të dhunohet nga grabitësit e njëjtë, nga të njëjtët njerëz dhe të njëjtat parti që kanë dhunuar sistematikisht zgjedhjet në Shqipëri, në 17 vitet e tranzicionit.

Me ndjenjë të lartë përgjegjësie qytetare dhe politike, grevistët deklarojnë vendosmërinë e patundur për të çuar deri në fund luftën dhe misionin për votën e lirë, që është lufta më e rëndësishme për integrimin evropian të Shqipërisë.

I rikujtojmë edhe një herë grabitësve dhe manipulatorëve historikë të votës së shqiptarëve se Dokumenti i Kopenhagës, Karta e OSBE-ODIHR për zgjedhje të lira dhe demokratike, obligon çdo vend, çdo qeveri që të mundësojë maksimalisht për çdo individ, grup apo parti politike, të garojë në mënyrë të barabartë dhe me garanci të njëjta përballë ligjit dhe autoriteteve.

Ne denoncojmë përgjegjësit historikë për dështimin e zgjedhjeve, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, të cilat në mënyrë të rrufeshme, pa konsultime publike dhe pa konsensus të gjerë, ndryshuan Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, bënë në fshehtësi një Kod Zgjedhor që shkel parimet e shenjta dhe standardet evropiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Konsensusi i dyshimtë kundër votës së lirë i PS dhe PD, nuk bazohet mbi interesat e Shqipërisë evropiane, por mbi ato të karteleve të krimit, që para disa ditësh, si në Gërdec, bënë vrasjen e radhës në Gjirokastër.

Jemi më të motivuar dhe me të vendosur se kurrë për të mbrojtur me çdo çmim dhe me çdo sakrificë llogoren e fundit të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pa të cilat nuk ka demokraci në Shqipëri dhe nuk ka Shqipëri evropiane.

Jemi të vendosur të mos dalim nga salla e Kuvendit, në mënyrë që nga kjo sallë të mos kalojë një ligj zgjedhor për interesa të ngushta dhe vetëm të dy partive, por vetëm një ligj zgjedhor që garanton gjithëpërfshirje dhe zgjedhje të ndershme.

Çdo provokim, skenar i dhunshëm ndaj grevistëve deputetëve apo qytetarëve që i mbështesin, do të jetë një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit konsensual të Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›