E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri fillon punë si mbledhës folklori

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri ka qenë i shqetësuar kohët e fundit, se ai burri ka qenë gjithnjë e më shpesh i mërzitur.

Që nga Gërdeci, rrallë shoh t’i qeshë buza. Duket se i mblidhet laku ditë dhe pas dite dhe ai e kupton, paçka se nuk e jep veten.

I kanë nisur telashet që nga ajo puna e Gërdecit. Nuk mjaftoi humbja e baxhanakut të atij burrit, por ia plasi skandaleve dhe ai kërriçi. Mirë që ishte futur kokë e këmbë në Gërdec, po s’kishte bërë kujdes as të fshihej. Kishte emëruar Rafin përfaqësues të amerikanëve. Më pas ajo puna e Damirit nxori emrin e së bijës. Megjithëse e di që ata nuk kanë faj, Flamurit i duhet të mbyllë gojën e miletit. Nuk është aq e lehtë. Sa të përmendin djalin, hidhen te vajza. Le ai Lul Basha. Se dhe atë kish mangut. Ai na futi në familje dhe kunatin. I erdhën rresht të gjitha, sikur e ka mallkuar njeri.

Por, me gjithë këto halle, Flamuri kuptoi një gjë, që ai burri ndryshonte vetëm kur takonte njerëz dhe kur i këndonin këngë. E pa atë ditë që u kthyen nga Armeni. E mori disa herë në telefon dhe i tregonte vargjet e këngës. Kjo është zgjidhja, mendoi Flamuri me vete. Të vë njerëzit t’i bëjnë këngë kudo që të shkojë. Vetëm kjo na shpëton.

Thirri urgjent njerëzit që duhet të merreshin me këtë punë.

- Ne duhet të bëjmë ca këngë për atë burrin, t’i kemi gati dhe ua japim t’i këndojnë sipas rastit në veri dhe jug çdo fundjavë, - tha.

U vendos që çdo të enjte të shqyrtojnë tekstet që vijnë.

Dje mbërriti dhe teksti i parë. Ishte me tematikë nga veriu, kur do t’i duhej të shkonte në zonat informale rrotull Tiranës. Shqyrtuan tekstin e parë:

Ky Berisha, trim i trimit,

i dha hov legalizimit.

Hej ç’gëzim që na ka dhanë,

u bëmë tirans e durrsjanë.

- Lëre more këtë, lëre, se do jetë hasjan se nuk e dikërkan akoma që i thonë durrsak, po i thotë vetes durrsjan, si në Kukës. Hiqe këtë, gjej një nga jugu të thashë, e dua nga jugu, që njerëzit të thonë se dun fort atë burrin.

Glori nxori tekstin tjetër.

“Korrupsioni nuk merr frymë” të grupit të Armenit.

- Po këtë e kënduan njëherë, e dha TV “Klan”-i, s’e japim dot prapë.

- Pse mos ta japin, e bukur duket kjo, është dhe me kuptim për situatën. Ta bëjmë Hit, - tha Glori

- Ore ti qit kunjin me mua apo si e ke hallin, o mixhë? Tjetër të thashë

Glori nxori tjetrin:

Moj parti, që s’t’u tremb syri,

të madh udhëheqës ke.

Ai në NATO na futi,

do na fusë dhe në BE.

- E mirë qenka kjo, po sikur t’i ndërronim nja dy vargje. Tjetër Glori, tjetër, vraje mendjen.

Glori nxori celularin.

- Më kanë dërguar një me sms, porosita ca miq andej nga Saranda që kam vënë të më bëjnë atë fabrikën. Se rrinë që rrinë gjithë ditën tani që i kam pezulluar punimet dhe këndojnë.

U e zeza për Salinë,

e grinë të ziun, e grinë.

Rrobat e bardha ia nxinë.

ǒtë të them Sali mavria,

sos të erdh nga Perëndia

Të keqen ta bene fëmia.

Kjo qenka e mirë, po duket sikur ai burri është në hall. Ne duhet ta bëjmë të ndihet i gëzuar.

- Po përpiqem, - i tha Glori, - po këta lebrit, kur je në hall, të këndojnë. Kur je mirë, s’duan të dinë fare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›