E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja draft-konkluzionet e përbashkëta të Këshillit të Tretë të Stabilizim-Asocimiit, BE-Shqipëri

16-07-2011 / Gazeta 55

Bashkimi Europian nënvizon se mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik


Draft-konkluzionet e përbashkëta të takimit të Këshillit të Tretë të Stabilizim-Asocimiit, BE-Shqipëri që do të mbahet javën e ardhshme, në Bruksel.


POLITIKA


Bashkimi Europian nënvizon se mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik dhe si pasojë, themelor ne procesin e anëtarësimit. BE thekson rendësin e rivendosjes së duhur dhe të plotë të veprimtarisë parlamentare të bazuar në dialog të qëndrueshëm e konstruktiv politik në mes të gjitha partive politike. Ky është një prioritet kyç i Opinionit. Qorrsokaku politik po mban peng reformat e rëndësishme të kërkuara nga vendi për të ecur përpara drejt BE-së. Për më shumë, funksionimi i plotë i parlamentit është jetik për besueshmërinë e pjekurisë demokratike të Shqipërisë.


BLLOKIMI


Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen për vazhdimin e ngërçit të gjatë politik dhe klimës konfrontuese politike që buruan nga mosmarrëveshja mbi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009, të cilës mosmarrëveshje, i hodhën benzinë ngjarjet e vajtueshme të 21 Janarit dhe tek e cila, zgjedhjet lokale të 8 Majit ndikuan edhe më shumë. BE përsërit thirrjen se është e gatshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik. Por nënvizon se është fillimisht përgjegjësia e liderëve politikë të të gjitha anëve të vendosin interesat dhe të ardhmen e vendit mbi agjendat personale e partive politike dhe të gjejnë një zgjidhje për daljen nga qorrsokaku. Liderët politikë duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të veprojnë për këtë qellim.


Për zgjedhjet, BE-ja vlerëson procesin në tërësi si pozitiv:


ZGJEDHJET


BE përsërit thirrjen se reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve janë prioritetet kyçe të Opinionit. BE vëren se pavarësisht disa parregullsive, votimi gjatë zgjedhjeve të 8 Majit ishte përgjithësisht i qetë dhe se fillimisht numërimi ishte i ngadaltë por, megjithëse u shoqërua me disa tensione, përgjithësisht ishte brenda normave. BE shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës dhe rritjen e tensioneve qe pasuan kur rezultatet paraprake nuk u shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas vendimit të tij për të numëruar vota të gabuara, i cili u konfirmua nga Kolegji Zgjedhor. BE pret që procesi në vazhdim i ankesave të jetë i ndershëm, transparent, të kryhet në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor. BE thekson nevojën për t’ju drejtuar të gjitha rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të Qershorit 2009 dhe rekomandimet paraprake që bëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të Majit 2011 (po ashtu dhe rekomandimet përfundimtare sapo të publikohen) për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe të garantojë përputhshmëri me standardet e BE-së dhe ato Ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Në përgjithësi, BE-ja përshëndet vazhdimin e miratimit të ligjeve, por thekson nevojën e aprovimit të ligjeve me shumicë të cilësuar.


ADMINISTRATA


Persë i takon Reformës në Administratën Publike, BE nënvizon se krijimi i një shërbimi civil të pavarur, profesional, bazuar mbi merita dhe i lirë nga ndërhyrjet politike është prioritet kyç i Opinionit.  BE shpreh shqetësim për progresin e kufizuar të deritanishëm në drejtim të këtij prioriteti. Rritja e monitorimit, efikasiteti dhe zbatimi në kohë i masave të parashikuara për këtë fushe duhen zbatuar në terren dhe rregullisht të raportohet nga autoritetet shqiptare. Ekziston nevoja për të garantuar përforcimin e plotë të ligjit për Shërbimin Civil dhe zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike, përfshirë këtu dhe rishikimin e kuadrit ekzistues ligjor, forcimin e autoritetit dhe të kapaciteteve administrative të Departamentit të Administratës Publike dhe të përmirësohet transparenca për rekrutimet në shërbimin civil. Një ligj i ri për shërbimin civil është ende në fazën fillestare.


GJYQËSORI


BE nënvizon se sundimi i ligjit dhe pavarësia, paanshmëria, transparenca, efiçenca dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë i aftë të punojë në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndërhyrje të papërshtatshme apo pengesë. BE nënvizon se në këtë drejtim do të vazhdojë të monitorojë nga afër ndjekjen e ngjarjeve të 21 Janarit. Është thelbësore që këto ngjarje të hetohen plotësisht nga autoriteti i duhur i Drejtësisë së Shtetit dhe që hetimi të ndiqet nga akuza si dhe dënimi i përshtatshëm i të gjithë fajtorëve të gjetur.


Për median, kërkohen dëshmi të dukshme për garantimin e lirisë dhe pavarësisë së saj.


MEDIA


Përsa i takon lirisë së shprehjes, BE vë në dukje se presionet nga politika dhe biznesi vazhdojnë të dëmtojnë pavarësinë e medias. Mbulimi i zgjedhjeve lokale të Majit 2011 nga media shënoi një përmirësim ndaj praktikave të kaluara, por ka ende shqetësime mbi anshmërinë e raportimit. BE përsërit thirrjen mbi rëndësinë se Shqipëria duhet të miratojë amendamente në kodin penal për dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes. BE dëshiron t’i kujtojë Shqipërisë rendësin për të mbështetur dukshëm lirinë dhe pavarësinë e medias. Liria e medias është shtylle themelore e mirëqeverisjes dhe llogaridhënies.


BE përgëzon qeverinë shqiptare për luftën kundër krimit, ndërkohë që kërkohen rezultate të mëtejshme për luftën ndaj korrupsionit.


KORRUPSIONI


BE bën thirrje për më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, që ende është një problem veçanërisht serioz në Shqipëri. Është thelbësore të dëshmohet në mënyrë të besueshme se hetimi dhe dënimi i fajtorëve përfshin rastet e korrupsionit në nivele të larta. Për të kapërcyer pengesat ndaj hetimit në rastet e korrupsionit, BE inkurajon për masa që kufizojnë ose heqin imunitetin e gjyqtarëve, anëtarëve të parlamentit dhe të zyrtarëve të lartë, në përputhje me praktikat më të mira të standardeve ndërkombëtare.


Vlerësohen reformat ekonomike, por çështjen e pronave mbetet problem kyç për Shqipërinë:


EKONOMIA


BE shënon progresin e bërë për të mundësuar që ekonomia shqiptare të përballojë presionin konkurrues, përfshirë dhe rritjen e konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit, por më shumë përpjekje nevojiten, midis të tjerash, ndaj zbatimit të axhendës së privatizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së transportit dhe energjisë si dhe në forcimin e mëtejshëm të kapitalit njerëzor.


PRONAT


BE shënon se çështja e pronës mbetet e pazgjidhur dhe bën thirrje ndaj Shqipërisë që të përshpejtojë përpjekjet për të konsoliduar të drejtat mbi pronat, me anë të përgatitjes, miratimit dhe zbatimit të një strategjie kombëtare dhe plani aksioni mbi të drejtat e pronës. Ky është prioritet kyç i Opinionit. Kjo strategji duhet të mbulojë kthimin, kompensimin dhe legalizimin e proceseve. Kthimi i pronës dhe kompensimi janë fusha të ndjeshme dhe është thelbësore transparenca e plotë dhe konsultimi me palët e interesuara. BE nënvizon rendësin për të plotësuar regjistrimin e parë për pasurinë e paluajtshme, si dhe të regjistrimit të tokës, vlerësimin dhe kompensimin, me qëllim që të zhvillohet një treg toke funksional dhe të përmirësohen kushtet e investimit. Mungesa e garancisë ligjore, kompleksiteti dhe keqfunksionimi i procedurave administrative e gjyqësore rrezikojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, krijojnë mundësi për korrupsion dhe dëmtojnë potencialin e vendit për zhvillim ekonomik. Në konkluzion, Bashkimi Europian përkujton se përparimi i vendit në rrugën e integrimit varet vetëm nga plotësimi i 12 kritereve kyçe, për të cilat, zbatimi i planit të aksionit nuk ka nisur ende. Në fund të KSA-së së radhës, që zhvillohet në Bruksel më 19 korrik, pritet dhe një deklaratë e përbashkët BE-Shqipëri, me përfundime të përafruara.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›